Telegrafi

Nga po orientohet Kosova – Lindja apo Perëndimi, flasin analistët (Video)

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë dhe deportimi i tyre për në Turqi, po vazhdon të jetë temë diskutimi ende në vendin tonë.

E pas këtij veprimi nga shteti i Kosovës, shumë analistë po pyesin se nga po shkon Kosova, nga Lindja apo Perëndimi.

E rreth kësaj teme në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, analistë dhe njohës të çështjeve politike, kanë diskutuar për këtë duke thënë se nuk mund të thuhet se Kosova është duke u orientuar nga Lindja, pasi që edhe vetë Turqia e cila është në Lindje ka synim orientimin nga Perëndimi.

Analisti, Arton Demhasaj, ka thënë se gabimi në rastin e arrestimit të gjashtë shtetasve turq është që kryeministri ka qenë dashur të ketë informacion për këtë.

“Ata njerëz të cilët nuk e kanë informuar kryeministrin po del të jenë njerëz të presidentit Thaçi. Nuk është dashur të shkarkohet vetëm drejtori i AKI-së dhe ministri i MPB-së, ka qenë dashur të shkarkohet edhe drejtori i Policisë së Kosovës”, u shpreh Demhasaj.

Të njëjtën gjë e potencoi edhe analisti tjetër, Imer Mushkolaj, i cili tha se kryeministri Ramush Haradinaj është dashur ta shkarkojë drejtorin e policisë, Shpend Maxhuni.

“Jemi tu fol për mënyrën e funksionimit të shteti. Kjo çka ka ndodhur është skandal. Këta persona janë rrëmbyer në Kosovë dhe ju kanë dorëzuar Erdoganit”, ka thënë Mushkolaj. /Telegrafi/