Telegrafi

Nga pesha e rëndë bllokohet ashensori, hajni shqiptar kapet “mat”

Se leximi është i dobishëm, sidomos leximi i numrave, tani janë bindur edhe dy hajdutët që kanë dashur të vjedhin kasafortën në një furrë në Dyseldorf, Gjermani. Megjithatë, mësimin e kanë kuptuar vonë, kur nuk u është dashur më.

Një shqiptar 40-vjeçar dhe bashkëpunëtori i tij nuk i kanë kushtuar aspak rëndësi tabelës në ashensor ku shkruhet se ai nuk mund të mbajë më shumë se 375 kilogramë, shkruan albinfo.

Ndërsa pesha e kasafortës bashkë me tre thasët me para (monedha metalike) si dhe të dy personat ishte dukshëm më e rëndë. Për pasojë, ashensori u bllokua dhe nuk pranonte ngarkesën. Kështu policia nuk e pati të vështirë të kapte hajdutët.

Ata kishin hyrë për të plaçkitur në furrën e përmendur rreth orës 2 të pas mesnatës. Së pari i kanë ngarkuar thasët me monedha dhe kur kanë parë se nuk mund ta hapnin kasafortën, kanë vendosur që ta marrin atë me vete.

Por pronari i furrës thotë se duhet të kenë qenë shumë persona që e kanë ngritur kasafortën. Sidoqoftë, ashensori u bllokua dhe kur ata kanë dashur ta shtyjnë kasafortën për në ashensor, bënë aq shumë zhurmë saqë e dëgjuan fqinjët dhe njoftuan policinë. Shqiptari u kap në korridorin e ndërtesës ndërsa bashkëpunëtori i tij ia doli të ikte.