Projektet për menaxhimin e ujërave të zeza janë tejet të rëndësishme dhe do ta kenë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës. Kështu tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean – Hubert Lebet dhe zëvendës shefin e Zyrës Zvicerane për bashkëpunim, Bernhard Soland, me të cilët diskutoi për mundësinë e zhvillimit të projekteve të ardhshme në fushën e menaxhimit të ujërave të zeza.
Kryeministri Haradinaj, tha se Kosova ka mirëpritur investimet e deritashme zvicerane, të cilat kapin vlerën e 100 milionë eurove që nga paslufta dhe se është e përkushtuar që të bashkëpunojë edhe në projekte të radhës, veçmas në ato që kanë të bëjnë me minimizimin e dëmeve të ambientit dhe ruajtjen e tij.
“Kosova është e hapur që të pranojë investime të huaja direkte që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave të zeza. Aktualisht janë disa projekte të cilat janë në fazë të implementimit, por ka edhe të tjera të cilat po planifikohen”, tha Kryeministri Haradinaj, duke u zotuar, që Qeveria që ai drejton do të marrë përsipër zotimet e nevojshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtyre projekteve, të cilat mbikëqyren nga këshilli ndërministror.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean -Hubert Lebet, falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe për ofrimin e bashkëpunimit në projektet që iniciohen nga shteti i tij, duke shtuar se Zvicra do të vazhdojë ta mbështes Kosovën, përmes projekteve konkrete në fushën e menaxhimit të ujërave. /Telegrafi/