Nga muaj i ardhshëm punonjësit e Telekomit të Kosovës do të marrin pagat 40 përqind më pak.
Këtë e ka konfirmuar ministri Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Kjo ulje e pagave, sipas ministrit Lluka do të ndodhë për ta shpëtuar Telekomin e Kosovës nga falimentimi.
Ndërmarrjet publike janë duke operuar një pjesë e madhe me humbje. Rreth 11 prej 16 sosh, por me shqetësues për ministrin e MZHE-së, mbetet rasti i Telekomit dhe Postës së Kosovës.
Ministri Lluka në një intervistë për KosovaPress tha se lista e pagave të punonjësve për momentin është 27 milionë euro në vit për rreth 2.500 punonjës sa janë aktualisht, shumë kjo që është e pa përballueshme.
“Fatkeqësisht është e pa evitueshme (ulja e pagave), për shkak se Telekomi është keqmenaxhuar me kohë të tëra dhe është ardhur në një situatë nga një kompani më profitabile që ka pasur vendi, që ka marrë devidentë rreth gjysmë miliardi euro për dhjetë vjet, në një kompani ku është tash në një rrezikshmëri të mbesin pa punë me mijëra punëtorë. Prandaj, me mirëkuptim për të gjithë, për të mos i larguar nga puna një pjesë të punëtorëve, duhet të shikohet si një formë e përkohshme ulja e pagave, dhe në momentin që ka rritje të efikasitetit, të investimeve dhe fitimit, dhe pse jo të kthehen ato paga prapë në nivelin ku kanë qenë, por prapë ideja është që ta shpëtojmë Telekomin nga falimentimi…”
“Në total që paguhen (pagat) janë rreth 27 milionë euro në vit, ndërsa, 70 milionë euro në vit ka qarkullim Telekomi, nga 70 milionë janë 37 përqind të asaj shitje të qarkullimit që shkojnë vetëm për paga… Unë besoj se fillimi i qershorit ose në muajin qershor duhet të kemi diçka konkrete, sepse me të vërtetë ka vështirësi të paguhen pagat nga Telekomi në situatën se si është”, ka thënë ministri Lluka.
Këtë ide sipas tij, e ka shprehur haptas edhe kryeministri, sepse falimentimi ka pasoja shumë më afatgjate, duke përfshirë edhe largimin e punonjësve nga puna: “për të mos ardhur në atë situatë, secila pjesë e koalicionit, por edhe të opozitës e përkrahin një gjë të tillë”.
Ministri Lluka ndër të tjera ka thënë se ka edhe ndërmarrje tjera publike të cilat as nuk kanë shërbim, humbjet i kanë të vazhdueshme, siç janë p.sh Hekurudhat e Kosovës, që ka telashe jashtëzakonisht të mëdha për shkak të industrisë së hekurudhave që nuk është industri e zhvilluar.
Transporti i mallrave nuk është i madh dhe kjo sipas tij, është për t’u analizuar tash e tutje edhe për punësimet e vazhdueshme.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka folur edhe për investimet e huaja që po i mungojnë Kosovës, e që kanë marrë hov të madh në vendet e rajonit.
“Nëse flasim në përgjithësi për investime të huaja, normalisht se në vendet në rajon ka që përformojnë më mirë, p.sh. Serbia ka pasur më shumë sukses për thithjen e investimeve për shkak se është treg më i madh, kanë dhënë stimulime më të mëdha financiare, pra, kanë bërë disa gjëra të cilat ndoshta për ne, për buxhetin tonë janë më të papërballueshme…”
“Por prapë se prapë, ajo varet nga shumë faktor, siç e dini Kosova në vazhdimësi në pesë gjashtë vitet e fundit ka bërë reforma në të bërit biznes që është evidentuar edhe në raportin e Bankës Botërore mjaft pozitivisht dhe tashmë vetëm Maqedonia në atë raport është përpara nesh… Për ambientin janë marrë masa edhe nga kjo Qeveri për lirimin e tatimeve doganore për lëndë të para për pajisje të teknologjisë informative, për makineri, për plot e plotë produkte shtesë që janë shtuar tash së fundmi, duke përfshirë edhe lëndët djegëse që janë liruar nga akciza të cilat përdoren për prodhim”, ka thënë Lluka. KP/Telegrafi/