Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve F. O., G. B. dhe I. V., nën dyshimin se kanë kryer vrasjen e një 50-vjeçari.
Të pandehurit, më 12 shtator 2021, rreth orës 19:45, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta B.V. në një kafene në Gjilan, pas së cilës janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprat penale vrasja e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal.
Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa propozimin e mbrojtësve që të pandehurit të mbrohen në liri, Gjykata i refuzoi si të pabazuara, duke i konsideruar si të pamjaftueshme për këtë fazë të procedurës.