Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, shtetas algjerianë Z.SH., F.R. dhe A.M., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje në tentativë, “vjedhje e rëndë” dhe veprës penale në bashkëkryerje, “lëndimi i lehtë trupor”.
Tre të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të arratisen dhe të ikin nga vendi, sepse të njëjtit janë shtetas të Algjerisë dhe për momentin e gëzojnë statusin e azilit, ndërsa në Republikën e Kosovës nuk kanë adresë banimi të përhershme, por momentalisht gjenden me adresë të përkohshme në Qendrën për Azilin në Vranidoll. Gjithashtu të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në njëri tjetrin, në të dëmtuarin dhe dëshmitarët eventual dhe po ashtu ekziston rreziku se të pandehurit mund të përsërisin ose të kryejnë vepra tjera penale”, thuhet në komunikatë.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/