Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës nga një muaj paraburgim kundër të pandehurve A.S. dhe A.R. për shkak të veprës penale trafikimi me njerëz sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit për media, gjykata ka konstatuar se është përmbushur kriteri nga neni 187, paragrafi 1, nën paragrafi 1.2, pika 1.2.1. të KPRK-së, ngase ekzistojnë rrethana, të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonin rrjedhën e procedurës penale.
“Gjykata gjeti se është përmbushur edhe kriteri nga neni 187 par.1 nën. par.1.2 pika 1.2.2. të KPRK-së, ngase ekzistojnë rrethana se nëse lejohen të pandehurit të mbrohen në liri mund të asgjësojnë, fshehin provat e veprës penale, e po ashtu duke e ditur të kaluarën kriminale tregojnë se të pandehurit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarën e mitur, po ashtu mënyra dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale trafikimi i një të miture, shfrytëzimi i të miturës për shkak të rrethanave të vështira sociale, sjellja e mëparshme e të pandehurve të cilët dyshohen për një mori veprash penale të llojeve dhe natyrave të ndryshme, tregojnë rrezikun se nëse lihen në liri të pandehurit mund të përsëritin veprat penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Telegrafi/