Site icon Telegrafi

Nga një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për rastin e vrasjes në Aktash

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të dyshuar për përfshirje në konfliktin e armatosur më 1 shtator në lagjen Aktash në Prishtinë, ku mbeti i vrarë Premtim Gashi.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.

“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse të pandehurit K.G, V.A, R.Ll, S.S, F.A lihen në liri, paraqet rrezik se të njëjtit mund të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, mund të bëhen të pa arritshëm për organet e ndjekjes dhe gjykatën, po ashtu nëse lejohen të mbrohen në liri, të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në prova si dhe mund të ndikojnë edhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku potencial që të pandehurit mund të përsërisin veprat e ngjashme penale, andaj për të evituar rrezikun e përsëritjes së veprave penale, duke marr parasysh mënyrën e kryerjes, e po ashtu edhe ambientin në të cilin është kryer vepra penale, gjykata vlerësoi se është i nevojshëm caktimi i paraburgimit në këtë fazë të procedurës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Kjo masë u vendosë në seancën e sotme që u zhvillua rreth orës 14:00 në hapësirat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Merret vesh se të dyshuarit gjatë seancës dëgjimore për caktimin masës së paraburgimit ndaj tyre janë mbrojtur në heshtje.

Nga ngjarja e së dielës mbeti pa shenja jete Premtim Gashi.

Ndërsa, pesë të dyshuarit u arrestuan në vendngjarje, teksa policia ka bërë të ditur se është në kërkim edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë rast. /Telegrafi/

Exit mobile version