Në 24 orët e fundit, autoritetet zvicerane kanë raportuar për rreth 2835 infeksione të reja me coronavirus.
Sipas mediave zvicerane, përcjell Telegrafi, numri i testeve të kryera, përfshirë edhe Lihtenshtajni, është 29,407.
Autoritetet gjithashtu kanë raportuar për 9 vdekje të reja në lidhje me coronavirusin si dhe është bërë e ditur se 80 persona të tjerë u shtruan në spital.
Ndërkohë, mediat zvicerane të hënën kanë raportuar se në 72 orët e kaluara, 6,832 infeksione të reja me coronavirus janë raportuar në Zyrën Federale të Shëndetit Publik (FOPH) nga Zvicra dhe Lihtenshtajni.
Këto rezultate kishin dalë nga një numër prej 100,028 testeve të kryera.
Të dhënat kanë treguar edhe për 19 vdekje të reja në lidhje me coronavirusin si dhe 117 persona të tjerë të shtruar në spital.
Por nëse bëhet një krahasim me 72 orët e fundit të raportuara një muaj më parë (e hënë, 9 gusht), i bie që ka pasur një rritje të madhe të rasteve të reja, përcjell Telegrafi.
Kjo pasi që gjatë asaj periudhe ishte raportuar për 3144 raste të reja me coronavirus gjatë fundjavës.
“Në 72 orët e fundit, 3144 infeksione të reja me koronavirus janë raportuar në Zyrën Federale të Shëndetit Publik (FOPH) nga Zvicra dhe Principata e Lihtenshtajnit. Numri i testeve të kryera është 57,281. BAG gjithashtu raporton 0 vdekje të reja në lidhje me coronavirusin. 38 persona të tjerë u shtruan në spital”.
Dhe nëse bëhet një krahasim me fillimin e muajit korrik, ku mesatarisht kishte rreth 300 raste të reja me COVID-19, i bie që tanimë ka një ndryshim edhe më të madh, madje dhjetëfish më shumë raste të reja ditore me COVID-19.
Ndryshe, mediat zvicerane ditëve të fundit kanë raportuar për rritje të rasteve me COVID-19 në Zvicër, si pasojë edhe rritje të numrit të të shtruarve edhe në spitale.
Dhe kjo rritje madje i është atribuuar edhe lëvizjes së qytetarëve gjatë pushimeve verore, sidomos në drejtim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën, si dhe anasjelltas.
Kjo ka nxitur edhe mediat atje, të cilat kanë filluar një fushatë vaksinimi, nga disa mjekë të ardhur po nga Ballkani, të cilët bëjnë thirrje për vaksinim, për bashkatdhetarët e tyre, përcjell Telegrafi.
Në këtë drejtim, përveçse në gjuhën italiane, portugeze dhe serbe, një mesazh ka ardhur edhe në gjuhën shqipe.
Po sipas mediave zvicerane, përcjell Telegrafi, situata është ngarkuar sidomos pas riatdhesimit të shtetasve të sëmurë rëndë jashtë vendit – veçanërisht nga Kosova.
Madje, siç është thënë ndër tjerash, aeroplanët e ambulancës kanë qenë në përdorim të vazhdueshëm që atëherë për të dërguar të sëmurët rëndë në Zvicër. /Telegrafi/