Site icon Telegrafi

Nga një ditar… i pashkruar!

Ilustrim

Ata e kanë mësuar edhe kohën kur na shkojmë në mal për dru. Po më duhet të shkoj në mal në kohën më të ligë. Edhe ti Bacë e dinë, se njeriu shkon më lehtë në mal kur është koha e mirë, kur nuk bien shi a borë, sesa kur është fërfëllizë që mbytë njerëz. Na po duhet të shkojmë në mal bash kur është koha më e vështirë, siç thonë; kur pëlcet thiu i egër nga të ftohtit.

Kështu edhe me gjumë i kemi punët. Kur të gjithë flenë, ne duhet të përvidhemi  për të shkuar në mal për dru, sepse tjetër rrugë nuk kemi. Ti e din Bacë, se nuk po shkojmë të marrim dru për t’i shitur në treg, por krejt për idare.

Mua po më duhet ta ruaj “shumarin” më shumë se ai që e ruan malin.

Bile, ai nuk e ka fort dert a më takon mua apo jo, ndërsa unë kam hallin për dru e për burg. Nëse më zë në mal “shumari”; ose duhet t’ia kërcas plumb, ose t’ia jap sakicën, dhe  ai të më shkruaj dënimin. Pastaj, e din mirë se nuk kem me çka të paguajmë dhe duhet me shkua në burg. Ashtu mbesim edhe pa dru edhe pa bukë.

Askush nuk i tjerr këto punët tona siç janë.

Dikujt, ato dru i dukën vetëm dru!

Ato dru, Bacë, nuk janë vetëm dru mali, por janë jetë.

Drutë nuk vijnë vet në shtëpi, por duhet me shku me i pre në mal, e me i pru në shtëpi. Mali është goxha larg prej nesh, atje mbi Kuçicë e mbi Stermc.

Edhe me gjumë po bëjmë luftën o Bacë. Po shtyhemi me “shumarin” se cilin po e lodhë gjumi më përpara.

Asnjëherë nuk jemi të sigurt as na, por vallahi  as “shumari”.

Atë ditë Tahiri ishte kthyer nga rruga pa shkuar në Mitrovicë, për ku ishte nisur në mëngjes. I kishte rehatuar kuajt në ahur, por vetën nuk e rehatonte dot..

Kishin kaluar disa orë që terri ishte lëshuar në tokë, por babë e bir akoma po rrinin zgjuar në odë.

Si një kronist i mirë që shënon ngjarjet në ditar, Tahiri në mbrëmje numëronte të gjitha të zezat që po  bënte pushtuesi serb në Kosovë.

Bacë, në Prishtinë janë ba demonstrata të mëdha. Nuk po tregojnë drejt sa djem e vajza shqiptare janë vra! Ky ministri që foli shqip” tha; janë vrarë 57 veta, ndërsa ai Dollanci i Jugosllavisë tha janë vrarë veç 28 veta. Bota e ka parë se ata nuk kishin mujt me u marr vesh për numrin e shqiptarëve të vrarë. Me siguri janë vra më shumë se që po tregojnë në lajme. Kur këta  thonë janë vrarë 28 veta, me siguri janë vrarë tri herë më shumë. Tash kanë shpallë orë policore pa afat. Nuk dihet ku dhe kënd do ta sulmojnë?! Kanë ardhur njësitë e milicisë speciale nga krejt Jugosllavia, o Bacë.  E dimë ti edhe unë, që këta pa u djeg diku, pa një të ligë të madhe, nuk ndalen.

Janë ngushtua njerëzit, o biro, foli më zë, Nebihi! A po sheh që na i ka zënë të gjitha rrugët dhe po i duket pak. Ata tash po hyjnë edhe nëpër shtëpia të shqiptarëve pa u tutë hiq. A po i dëgjon lajmet, o bir? A po merr vesh çka po thonë?  Jo babo, jo! Sa të flitet shqip, shkau nuk do të na lë rahat.

Nebihu ngriti kokën për të parë se çka po bën i  biri. Tahiri ishte tretur thellë në mendime dhe vetëm po heshtte.

A po ma sjell pushkën, se moti nuk e kam fshi, i tha me butësi të birit, Baca Nebih.

Mbrëmë e ke fshi pushkën o Bacë! Ndoshta ke nisë me u plakë e po harron, foli më tepër vet me veti, Tahiri se sa për ta dëgjuar i ati.

Armiku në derë e pushka pa fshi, nuk bahet. Ku i dihet shkaut çka mendon e çka përgatitë. Mos të ishte zgjuar me kohë Ahmet Delia, ku me ditë deri ku kishin hy e ku kishin mbërri komita serbe. Po hajt, ma sjell atë xhyherdare, se ajo është mësuar me Azemin. Sa rri ulur, e pastroj para gjumit, që thonë është si vdekja. Tahiri ia solli pushkën dhe ia vendosi në prehër të atit. I tuboi ato pak dru që po digjeshin akoma në oxhak dhe u  mbështet në anën tjetër përballë.

Me duket sonte do mbesim pa mysafirë, mërmëriti ndër dhëmbë Tahiri.

Kishte kaluar gjysma e natës , ndërsa babë e bir akoma po rrinin zgjuar në odë. Derisa Nebihu fshinte pushkën, i biri mërmëriste për peripecitë e ditës që kishte kaluar. Sa herë që Baca Nebih  tërhiqte sixhimin me harrnin me vaj nga gryka e pushkës, i shkonte mendja të Azemi.

E more bir, Azemi me gojë ia ka lënë amanet pushkën e vet, Emin Latit.

Ka mana kjo punë!

Azemi i ka njohur mirë shokët e vet. Për të satën herë përkujtoi fjalët e Emin Latit në natën e fundit  kur e kishin përcjellë Azemin e vdekur deri në shpellë. Të gjithë kishin heshtur si të nemitur. Secili prej tyre dukej sikur kishte humbur një pjesë të guximit. Me Azemin ndiheshim më të fuqishëm në çdo përballje me shkaun, kishte rrëfyer për së gjalli Emin Lati. Nuk ka fjalë që e përshkruan atë dhembje, babo!

Dhembja ishte e madhe, por humbja ishte edhe më e madhe.

Shumë më e madhe se vdekja ishte dilema se kush do të na prijë si Azemi?!

Kush do jetë ai që nuk do t’i trembet dhunës së përditshme serbe në çdo hap? Ku me ditë kur e ku sulmon shkau? Me të nuk vlen asnjë marrëveshje. Ai njeh vetëm dhunën. Shkau na ka qitë në hall për ekzistencë. Nga arat tona mezi po mund e sigurojmë bukën deri në të korrat e reja. Tokën e kemi më të ligën në Kosovë, por zullumin më të madhin.

Tahiri e kishte lexuar mirë të atin. E dinte edhe çka po mendonte në heshtje në ato çaste të natës duke fshirë pushkën.  I mbushur deri në grykë, Tahiri filloi të flas pikërisht për atë dhembjen e madhe të babëlokut.

Ti Bacë e dinë mirë që kurrë nuk kemi fol për me ikë prej ktuhit.

Ata na i morën tokat më të mira nëpër rrafshina, afër burimeve të ujit dhe rrugëve kryesore. Përditë po na e ngushtojnë zgjedhën dhe çdo mundësi për jetë. Shpirtin na e kanë pru në fyt. S’kemi liri me shkua as në mal, as në mulli, as në treg. “Shumarin”, herë e shoqërojnë dy, e herë-herë nga katër milicë. Me çka me gatua o Bacë?

E mban mend atë natë kur në Kuçicë, mbi Klinë të Epërme, dikush shtiu me pushkë krejt afër nesh? Nuk shihej asgjë. E dinim se aty diku afër është një shtëpi e një fshatari. Nuk e kuptova a shtiu me pushkë “shumari” apo dikush tjetër. Ne bëmë veshët katër, por më nuk u dëgjua asgjë. Ishte kohë e vranët, natë pa hënë, terr i zi. Edhe me pas  fener për dritë, nuk mund ta përdorshim. Po t’ia ktheja me pushkë andej ku krisi, mund të bëhej nami.

Me tahmin nuk shtihet me pushkë, o Bacë, me ke thënë shumë herë.

Përdorimin e armës na e ke mësua ti o Bacë, dhe na ke këshillua kur përdorët arma. Nuk dihet kah shkojnë plumbat nëpër terr?!

Ashtu edhe kalova pa ia shkrep atë natë. Solla pak dru për disa ditë, por më duhet të shkoj prapë dhe nuk i dihet asnjëherë kur mund të përballem me “ata”.  Ti e di mirë, se ‘ata” kanë merak të na fusin në dorë një herë dhe ashtu pastaj bëjnë qejfin e tyre.

Baca Nebih e dëgjonte herë pas herë të birin, por në ato çaste, më shumë ishte thelluar në rrugëtimin e asaj nate kur Azemi ishte ndarë nga jeta. Nuk po mund e harronte lehtë edhe pas shumë vjetësh. Pushka e Azemit ishte në dorën e tij. Pak kush e ka ditur historinë e asaj arme, me të cilën Azemi nuk huqi asnjëherë.

Edhe sa kemi miell, e pyeti krejt pa pritur të birin, Baca Nebih.

Miell ka edhe për një javë, iu përgjigj Tahiri.

Po, a ke këqyr në kosh, sa ka misër?

Ka goxha, por po duhet edhe kuajve me iu qitë, se tjetër nuk kanë çka hanë. Edhe  sana gati është harxhuar. Pranvera është goxha afër, por sivjet bora nuk ka filluar të shkrihet si për inat. Nëse del elbi me kohë, besoj se ia dalim.

Baca sikur u qetësua pak dhe vazhdoi ta fshinte pushkën nga jashtë. Kur e hoqi merakun, ia dha pushkën në dorë Tahirit dhe ai e vuri në vendin e zakonshëm. Të dy vazhduan bisedën deri vonë.

Mund ta merr me mend njeriu se çka bisedonin babë e bir.

Një nuse ta morëm, e goxha do vajza janë bërë, por kisha pas dëshirë ta shoh edhe një djalë sa të jem gjallë, i tha i ati, Tahirit.

Aii, bre Bacë! Po, lëri këto fjalë. Akoma nuk jam plak . Zoti është i madh. Ka për të dhënë e për të marr.

Po të tregoj Bacë, se sot desha të shkoj në Mitrovicë, se ishte ditë tregu. Thash është e shtunë dhe bën vaki dikush ka me bajt diçka, e unë mund të punoj me qerre e me kuaj, sa nuk ka ardhur  pranvera.

Bacë, në  Vojtesh, atje të Luboveci, milicia kishin vendosur postbllok dhe nuk mund shkova tutje. Pushkën e kisha në duk të tallës, në kerr. Milicia kontrollonte. Tri-katër qerre me kuaj ishin para meje. E shikova mirë terrenin dhe ku ka shteg për të dredhuar rrugën. Pastaj, e din ti bacë! Ia krisa nja dy herë. Mua m’u desh të kthehem kah Luboveci, por ata të tjerët katundarë  shkuan në Pazar. Ma nuk i ndali askush. Policia therri pelën dhe iku prej aty. Kah kthehem i kam ndalur kuajt për të pushuar dy tre herë, edhe pse kerrin e kisha thatë.  Ti e di bacë, se këta për anash, veç këqyrin kah shkova, kur po kthehna, pse u ktheva aq vonë, apo aq herët. Ku me ditë ?! Ndoshta e kanë kuptuar kush shtiu me armë?! Ndoshta dikush nga ato kerret para meje, më ka njohur. Ndoshta dikush mund t’iu këtë treguar se kush shtiu me pushkë!

Bacë, ta dish se, ata dikah kishin kuptuar dhe me kanë thirr për t’u lajmëruar në stacionin e milicisë. Bacë, kemi fëmijë të vegjël e mezi po jetojmë me shumë halle, plus tash këta po donë me na hip edhe në qafë. Nuk e di si do të vazhdojë gjithë kjo dhunë, por s’kemi  kah shkojmë përtej shtëpisë  dhe tokës sonë.

Më përpara, ti më ke pa si jam kthye zvarrë nga stacioni i policisë. Ata më kanë torturuar mizorisht për armë, por nuk kam pranuar për të gjatën. Të voglën ua dorëzova por ata po kërkojnë të gjatën. Në këtë gjendje më kanë sjellë, prandaj ma nuk i dorëzohem këtij pushteti të fëlliqtë e mizor.

Baca Nebih vetëm heshtte duke kapërdirë çdo fjalë. I dukej sikur të ishte në vend të djalit. Nuk tha asgjë. Kujtonte vitet e kaluara me aq shumë vuajtje për të mbijetuar në trojet e moçme. Dukej sikur po i thoshte vetës, kështu jemi duke u shty, jo veç tash, por me shekuj.

Tahiri kishte ndarë mendjen.

A kemi na ndonjë të drejtë për të ekzistuar, o Bacë? A mendojnë këta pushtetarët shqipfolës si jeton një familje në katund? A e dinë këta si gatuhet buka dhe me çka piqet? A mendon dikush prej këtyre “tanëve” si po jetojmë sot për nesër. Kurrë askush nuk ka ardhur me na vet a kemi bukë a ujë. A kemi dru dhe si ngrohemi gjatë dimrit.

Tash kur të zë “shumari”, po ta vrasësh, të shpallin armik të shtetit. Po ta pranojmë që ai ta bëjë punën e vet, na mbesim pa dru e pa bukë. A të vet kush, o Bacë, me çka po gatuajmë? Nëse na dënojnë me të holla, nuk kemi kah t’i marrim. Nuk kemi as çka  shesim. Me shitë kuajt nuk kemi çka ngjesim në qerre. Nëse nuk paguajmë dënimin na  dërgojnë në burg. Kjo është jeta jonë për të cilën nuk flet askush nga këta shqipfolësit tanë që po i bëjnë hyzmet e po ia zgjasin jetën  pushtuesit.

Para tri ditësh, pasi nuk arrita të shkojë në mal, sepse udha ishte plot me “shumarë” e milicë, kah kthehem në Klinë të Mesme, aty të Mariçanët, pas meje ishte “Gazika” e kryetarit të Komunës dhe nuk mund kalonte pa ia liruar rrugën. Unë isha me qerre me kuaj. Ti e dinë bacë si është rruga e ngushtë asajde. Ai shoferi i kryetarit i dha gaz për të më tejkaluar dhe kuajt nga frika u rrasën në jazin e xhadesë. Ai pis, as nuk u ndal të shoh çka ndodhi me mua e me kuaj. Madje kishte shkuar e më kishte paraqitur në milici, kinse ia kam zënë rrugën. Dje ma sollën fletëparaqitjen edhe për këtë. E si të jetojmë o Bacë?

Këto që i shkrova nuk t’i kam thënë asnjëherë. Bacë, e di që ti i dinë të gjitha këto. E di se ti Bacë ke përjetuar shumë vuajtje. Po shkruaj, sepse kam vendosur që kurrë më të mos dorëzohem i gjallë.

Nuk të tregova që kam qenë edhe në demonstrata në Prishtinë. Jam gëzua shumë Bacë, sepse kështu ma nuk shkon. O duhet të ndryshohet diçka për të mirë ose duhet të ikim, a të vrasim vetën. Atje, në ato demonstrata, nuk kishte nevojë për ta njohur askënd, sepse të gjithë ishim bashkë në rrugë. Bacë, kur flas me ty, po më duket sikur po ta rëndoj jetën, prandaj pasi di të shkruaj, por shkruaj për veti.

Milicia m’i  ka dërgua tri “prijava”(fletëparaqitje). Ato i di mirë unë, sikur i dinë mirë edhe ata që i kanë dërguar. A ka kush që nuk e dinë si po jetojmë dhe me çfarë hallesh? A mendon ai komandanti shqiptar i milicisë në komunë, a kanë bukë familja e Tahirit? Hajt shkoni e pyeteni?! Hajt pyeteni me çka po gatuajnë katundarët, shumica e të cilëve nuk kanë mal fare. Ata ose duhet të presin dru në mal të shtetit ose të vdesin nga uria. Buka nuk piqet pa zjarr, o Bacë. E zjarri nuk ndizet pa dru o Bacë. Pse more nuk bisedon askush për hallet tona? Deri në shkollë të mesme shkova ashtu si munda. Sa për fakultet as nuk mund të thosha një fjalë. Po thonë se nipi i Emin Latit në fakultet është punë që nuk bëhet?!

Besa more Bacë, Beqa doli ilegalisht nga Sllovenia në Austri, e familjen hala e ka këtu. Na po mundohemi mos t’i lëmë keq, ashtu si po mundemi edhe për veti. Beqa ende është pa dokumente dhe nuk mund të punojë atje. Po, një ditë i merr letrat. Me ikë edhe unë, si të dukët kjo punë, Bacë? Kush do kujdeset për dy familje me fëmijë të vegjël, me gra dhe pleq, krejt të pa aftë për punë? Për ne nuk ka punë në këtë “derzhavë”!

Kujtimi i sakicës së Ahmet Delisë nuk na mban gjallë gjithmonë o Bacë. Me ato armë që kemi, me ato pushkë e sakica që kemi, duhet të bëjmë diçka për t’u liruar nga ky dushman.

Pas shërimit, Tahiri më nuk e bëri mend se ka pushtet mbi kokë. Përditë në mendjen e tij vizatonte përballjen me pushtuesin serb. Kështu qenka jeta jonë, i thoshte vetit. T’i tregosh dikujt hallin, dalin edhe njëmijë të liga. Të kërkosh ndihmë prej dikujt është punë që nuk bëhet. Front të hapur nuk ka. Tahiri ishte i vendosur të hapte frontin qoftë edhe i vetëm me të atin. Dukej sikur mendonte bash aty ku e kishte lënë Azemi. (sic.)

 

 

 

 

Exit mobile version