Telegrafi

Nga nesër, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës- AGK, njofton të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët se që nga nesër do të mund të aplikojnë për imunizim me vaksinat kundër COVID 19.

Kjo është arritur pas kontakteve të shpeshta të AGK-së me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Sot komiteti respektiv ka marrë vendim për përfshirje të gazetarëve me prioritet për imunizim! Me siguri që nga nesër edhe platforma e – Kosova do e mundesojë versionin me këtë ndryshim, dhe do njoftoheni sapo të jetë bërë perditesimi i ndryshimit në platformën e cekur”, thuhet në njoftimin e ministrisë për AGK-në.

AGK-ja e sheh si tejet të rëndësishëm këtë vendim pasi që gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave.

“E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial”.

“Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit që para shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, thuhet në fund, njofton Telegrafi.