Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës (PK) në Gjilan, togeri Ismet Hashani, tha se rasti ka ndodhur pasditen e së hënës në mullirin elektrik “Bereqeti III” në Lladovë, ku ka humbur jetën D. S. (46), i cili në momentin kritik ishte duke shpërndarë grurin në siloset, të cilat janë të dedikuara për grumbullimin e rezervave të grurit.
Togeri Hashani, tha se dyshohet se vdekja e punëtorit, ka ndodhur si pasojë e mungesës së ajrit (asfiksimit) në siloset e thella të mullirit.
Ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e policisë, prokurori publik, inspektorët e punës si dhe mjeku kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Togeri Hashani, tha se janë intervistuar dëshmitarët që ndodheshin vendin e ngjarjes si dhe në cilësinë e të dyshuarit dhe prani të avokatit mbrojtës edhe pronari i ndërmarrjes, E. K. (44) si përgjegjës për punëtorët, i cili pas përfundimit të deklaratës, me vendim të prokurorit të çështjes, është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Ai tha se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë, ndërkohë që rasti po hetohet nga njësiti i hetimeve rajonale. /Koha//Telegrafi/