Telegrafi

Nga mosdoganimi në veri, humben mbi 30 milionë euro

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica ka thënë se vështirësia kryesore mbetet veriu i Kosovës, gjegjësisht moskontrollimi i dy vendkalimeve kufitare, “Porta 1” dhe “31”, e në të cilat janë bërë pothuajse tre vjet që doganierët e Kosovës nuk janë të pranishëm fizikisht.

“Përmes këtyre dy pikave, sipas informacioneve që kemi, vazhdojnë të vijnë sasi të konsiderueshme të mallrave, ku vozitësit apo kompani të caktuara që i udhëzojnë ata, nuk vijnë në terminalin doganor në Mitrovicë për zhdoganim përfundimtar. Terminali në Mitrovicë është pika më e afërt e Doganës së Kosovës”, ka thënë Huruglica.

I pyetur nëse ka ndonjë nismë të re për të ushtruar funksionin e doganës në veriun e vendit, kreu i Doganës ka thënë se angazhimi ka shkuar së paku në tre drejtime. “Ajo që kemi mundur të bëjmë fillimisht, ka qenë një vendosje e një mbikëqyrjeje shumë më të rreptë të asaj zone, përmes lëvizjeve të njësive antikontabandë- gjithmonë me qëllim që nëse nuk arrijmë të ndalim në burim kontrabandën, atëherë së paku ta parandalojmë që ajo të shpërndahet në pjesën kryesore të Kosovës, domethënë në pjesën qendrore të Prishtinës, por edhe në pjesë të tjera. Faktori i dytë është bashkëpunimi i ngushtë me policinë, Administratën Tatimore, por edhe institucionet tjera, me të cilat kemi krijuar një trup për t’i goditur grupet e caktuara të kriminelëve. Kemi konfiskuar vazhdimisht mjete të transportit, mallra dhe vazhdimisht bëjmë tentime që kompanitë apo njerëzit që merren me këtë dukuri, t’i godasim. Fusha e tretë, jo më pak e rëndësishme, ka qenë ngritja e një bashkëpunimi me EULEX-in, edhe në aspektin politik, edhe në atë operativ. Kemi kërkuar nga ata që të marrin veprime më konkrete ekzekutive në ndalimin e këtyre gjërave, për arsye se EULEX-i i ka njerëzit e vet në vendkalimet kufitare. Pra, nga ta kemi kërkuar që të mos jenë prezentë vetëm fizikisht, por të marrin veprime konkrete me qëllim të ndalimit të këtyre shmangieve”, ka theksuar Huruglica.

Ndërkaq, në pyetjen se çfarë sfide paraqet kërkesa dhe pritja e qeverisë së ardhshme të vendit për mbledhjen e më shumë të hyrave nga Dogana për të mbuluar rritjen e pagave të arsimtarëve, shërbyesve civilë dhe policëve, Huruglica është përgjigjur se çdo rritje e buxhetit nënkupton se duhet të ketë më shumë të hyra për të plotësuar atë pjesë të shpenzimeve. /Telegrafi/