Nëse Senati Italian miraton ndryshimet në ligjin e funksionimit të kompanive “Call Center”, 25 mijë të rinj shqiptarë rrezikojnë të humbin vendin e punës.
Dhoma e Deputetëve kaloi dy ditë më parë ndryshimet, që pengojnë kompanitë italiane të zhvendosen në shtete të tjera duke i ngarkuar taksa më të larta. Operatorët ekonomikë që krijojnë një kompani të re në një tjetër vend, janë të detyruar të tregojnë vendin e origjinës.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se nëse kjo ndodh, ekonomia jonë do të marrë një goditje të madhe.
“Janë 25 mijë të rinj. Shtresa më e ndjeshme e shoqërisë që do të humbin vendin e punës. Por, nuk është vetëm situata ekonomike e tyre, se ka të bëjë dhe me rënien e konsumit, taksat në buxhet”, thotë ai duke bërë thirrje që Qeveria shqiptare të negociojë me palën italiane, që këto ndryshime të hyjnë në fuqi pas dy vitesh, shkruan TV Klan.
Janë 300 kompani në fushën e “Call Center” në Shqipëri, kontratat më të mëdha të të cilave janë me Italinë, për shkak edhe të njohjes së kësaj gjuhe. Nëse ato mbyllen, shkalla e punësimit bie me 16 për qind, ndërsa buxhetit të shtetit i ikin miliona dollarë të ardhura që vijnë nga sigurimet shoqërore dhe tatimi mbi fitimin.