Numri i rasteve me coronavirus në Kosovë ka shënuar rritje gjatë javëve të fundit.
Që nga 13 marsi kur u konfirmuan rastet e para me virusin SARS CoV-2 e deri më sot, janë konfirmuar 29 mijë e 117 raste nga 118 mijë e 946 persona që janë testuar.
Përveç numrit të rasteve pozitive, javëve të fundit ka pasur edhe rritje të rasteve të vdekjeve. Deri më tani numri total i rasteve që kanë humbur jetën nga COVID-19 ka arritur në 822.
Por pavarësisht kësaj kemi edhe një numër të lartë të personave që janë shëruar.
Sipas të dhënave na Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri më sot numri i të shëruarve është 17 mijë e 305 raste, shkruan Telegrafi.
Ndërkaq raste aktive me virusin SARS CoV-2 mbeten 10 mijë e 990.
Kujtojmë se të premten e kaluar kanë hyrë në fuqi masat e reja nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit.
Sipas këtij vendimi Qeveria ka ndarë komunat në tri kategori sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit.
Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të gjelbër);
Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të verdhë);
Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe). /Telegrafi/