Site icon Telegrafi

Nga krerët politikë në Kosovë pritet deklarimi “habemus governo”

Mosmarrëveshjet, që po vazhdojnë prej muajsh mes krerëve politikë të Kosovës, duket se janë thjesht çështje perceptimesh dhe interpretimesh jo racionale të kushtetutës nga palët: nga njëra anë PDK-ja, që ka fituar numrin më të madh të votave, por të pamjaftueshëm për të qeverisur e vetme dhe nga ana tjetër koalicioni pas-elektoral i krijuar mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe me tolerimin e Vetëvendosjes, kjo e fundit si forca e tretë në Parlament. I gjithë debati sillet tani rreth postit të kreut të Kuvendit. E sikur ky të ishte i vetmi problem i shtetit vetëm gjashtëvjeçar të Kosovës, i gjithë debati merr notat e një kapriçoje "prej adoleshenti" duke u zhvilluar në frymë jo konstruktive dhe mosbesuese: Mosbesim ndaj kushtetutës, mosbesim ndaj presidentes, mosbesim ndaj njeri-tjetrit dhe shpërfillje e elektoratit. Kështu nuk funksionon demokracia.

Lipset pra të shohim pak në retrospektivë se ç’ndodhi dhe si ndodhi më 8 qershor 2014: Këto zgjedhje, në të cilat ndonëse pjesëmarrja linte për të dëshiruar, sollën risi në disa drejtime: Arritjet më të rëndësishme të këtij procesi ishin zhvillimi në qetësi i zgjedhjeve – një provë për demokracinë, si edhe pjesëmarrja e serbëve në votime në të gjitha rajonet e Kosovës – një hap në drejtimin e duhur. Pakica serbe e përqendruar me shumicë në veriun e Kosovës mori pjesë për herë të parë që nga pavarësimi i saj në zgjedhjet për parlamentin e Prishtinës. Ky ishte një hap pozitiv drejt integrimit të kësaj pakice në politikën e vendit.

Zgjedhjet u vlerësuan nga më korrektet dhe si një test i pjekurisë së shoqërisë kosovare në rrugën e demokratizimit dhe integrimit drejt standardeve evropiane. Pra, qytetaret dhe qytetarët e Kosovës provuan, se janë shumë hapa përpara në raport me të zgjedhurit prej tyre. Në vend që politikanët drejtues, pavarësisht numrit të votave, të veprojnë me përgjegjshmëri kundrejt sovranit dhe të merren vesh mes tyre, ata grinden për një post.

Së dyti, vlen të theksohet veçanërisht në këtë kontest, se vetë rezultati i votimeve është pasqyrë e programeve pa dallime esenciale mes partive politike. E pra përderisa këto parti kanë ngjashmëri mes tyre, përderisa asnjëra syresh nuk ka fituar bindshëm për të pasur shumicën e shëndoshë qeverisëse, përderisa Kosova si shtet i ri ka shumë punë përpara, përderisa vendi konsiderohet ndër më të varfrit në Evropë dhe bllokimi i buxhetit për shkak të ngërçit politik mund të krijojë krizë financiare dhe të ngjallë pakënaqësi në popull, atëherë ç’kërkojnë politikanët e zgjedhur? Që po këta qytetare e qytetarë të dalin sërish në votime? Mos vallë në zgjedhje të reja të parakohshme qytetarët dhe qytetaret e Kosovës do të kenë alternativa të reja për të votuar? Mos vallë partitë politike do të importojnë programe dhe politikanë të rinj, në mënyrë që t’i ofrojnë elektoratit diçka krejt të re dhe ekskluzive për zgjidhjen e problemeve? Apo tek e fundit ata duan të demonstrojnë me këmbënguljen ad absurdum të shfaqur deri tani, se secili politikan mendon për veten pa e vrarë mendjen për përgjegjësinë politike?

Analizimi i kësaj situate detyrimisht rezulton me një varg pyetjesh, pasi vet krerët politikë nuk ofrojnë arsye të qarta për bllokadën. Nëse krerët e partive politike të Kosovës do të reflektojnë vërtetë duke kuvenduar bashkërisht për të dhënë përgjigjet e munguara deri tani, me këtë ata do të provojnë pjekurinë e tyre. Është i domosdoshëm gjykimi i kthjellët i tyre për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe kompromisin e nevojshëm në dobi të qytetareve dhe qytetarëve, që u kanë besuar atyre drejtimin e fateve të vendit. Këto negociata duhet të zhvillohen absolutisht mbi baza politike dhe programore, e jo orientuar nga interesa të ngushta individuale.

Por, edhe më imediate bëhet çështja e zgjidhjes së ngërçit politik në Kosovë në sfondin e sfidave, që e presin Parlamentin e ri: Dialogu Prishtinë-Beograd i mbetur në vend numëro që pas marrëveshjes për për normalizimin e marrëdhënieve përmes planit 15-pikësh, nënshkruar para një viti. Shteti i ri – pa ushtrinë e vet dhe pa një mëvetësi të plotë në drejtësi dhe institucionet e tjera të shtetit të së drejtës – ndeshet me kufizime të mëdha. Trupat e NATO-s me KFOR-in kujdesen për sigurinë, ndërsa misioni i BE-së, EULEX-i ndihmon në ngritjen e strukturave të shtetit ligjor dhe të sistemit gjyqësor.

Në listën e detyrave të parlamentit të ri qëndrojnë shumë lart tema jopopullore, që bartin potencial konflikti: Njëra prej tyre është themelimi i ushtrisë kosovare. Pikërisht kjo problematikë çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi pakica serbe e lidhi miratimin e saj për ushtrinë me një kusht: Rregullorja kushtetuese, që u garanton serbëve dhjetë mandate, duhet të mbetet në fuqi edhe për legjislaturat e tjera. Ndryshime të tilla kushtetuese kërkojnë kompromise shumë të vështira.

Së fundmi, por jo e fundit për nga rëndësia, Kosova duhet të ballafaqohet me të shkuarën. 15 vjet pas luftës vendi ende nuk është përballur me fakte me të shkuarën. Një gjykatë e posaçme ndërkombëtare do të duhet së shpejti të zbardhë krimet e mundshme të kryera nga shqiptarët dhe përgjegjësit e tyre – përfshirë këtu edhe politikanë të njohur – do mund të nxirren para drejtësisë. Në rrugën drejt Evropës janë të domosdoshme jo vetëm katarsisi në lidhje me të shkuarën, por edhe lufta kundër korrupsionit – Kosova renditet nga Transparency International si vendi më i korruptuar i rajonit.

E pra, shtrohet pyetja mos vallë politikanët e zgjedhur, këta “heronj” të pavarësisë së Kosovës, siç konsiderohen në popull, nuk dinë apo nuk duan ta menaxhojnë këtë pavarësi? Apo mos vallë ata preferojnë tani më mirë shtyrjen e krijimit të institucioneve në kalendat greke, se sa përballjen me këto sfida kaq të vështira? Në një vend demokratik është detyra dhe përgjegjësia e politikës që të kapërcejë vetveten dhe të gjejë zgjidhje e kompromise në dobi të vendit dhe qytetareve e qytetarëve. Krerët politikë të Kosovës janë të detyruar ta gjejnë forcën në vetvete për t’i zgjidhur mes veti mosmarrëveshjet dhe të mos presin më zgjidhje as nga Gjykata Kushtetuese, që e ka thënë fjalën e saj, as nga presidentja, që u ka lënë kohë sërish atyre të kuvendojnë e të reflektojnë për të gjetur gjuhën e kompromisit, e as nga deputetja më e vjetër e kuvendit, që të rithërrasë kuvendin, nëse në të nuk kuvendohet e nuk parashtrohen zgjidhje. As zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk mund të jenë zgjidhja për Kosovën.

Vetëm çarja e këtij ngërçi do t’u hapë rrugë ndryshimeve në Kosovë. Deri tani dëmi është mjaft i madh dhe thuajse të gjithë kanë humbur. Çdo zvarritje ad absurdum e thellon edhe më shumë krizën në vend dhe i dëmton madje edhe më shumë vet politikanët. Kjo duhet rikuperuar sa më shpejt, sepse koha nuk pret! Liderët e Kosovës duhet sa më parë të kuvendojnë, derisa së bashku të dalin faqebardhë para sovranit për t’i deklaruar: “habemus Governo”!

 

 

Exit mobile version