Site icon Telegrafi

Nga kafeina rritet sheqeri

Konsumimi i përditshëm i kafeinës në kafe, çaj apo pije joalkoolike tek disa persona që vuajnë nga diabeti i tipit 2, mund të rris nivelin e sheqerit në gjak, kanë vërtetuar rishtazi shkencëtarët britanikë.

Tabletat kundër dhimbjes së kokës, të cilat shpesh përmbajnë kafeinë, gjithashtu paraqesin rrezik për ngritjen e nivelit të sheqerit në gjak tek diabetikët, transmeton Telegrafi.

Shkencëtarët supozojnë se kafeina pengon procesin me anë të së cilit, glukoza nga gjaku vendoset në muskuj dhe në qeliza tjera në trup.

Kafeina mund të rris edhe prodhimin e adrenalinës që gjithashtu është nxitëse për ngritjen e nivelit të sheqerit në gjak.

“Pacientëve të cilët vuajnë nga diabeti i tipit 2 dhe kanë problem me kontrollimin e nivelit të glukozës në gjak, e të cilët njëkohësisht adhurojnë të pinë kafe, këtu e kam fjalën për ata që brenda ditës pinë më shumë se katër filxhanë kafe, u këshilloj të zvogëlojnë dozën dhe të përcaktojnë vet nëse e kanë hetuar dallimin”, këshillon James Lane nga Duke University Medical School dhe shton se tek disa do të pasojnë ndryshime të mëdha.

Cathy Moulton, këshilltare në Qendrën britanike për diabet tërheq vëmendjen se hulumtimi është shumë interesant, mirëpo që mostra e atyre që kanë marrë pjesë në të duhet të jetë më e madhe. Ajo gjithsesi rekomandon hulumtime të mëtutjeshme.

Nëse nuk vuani nga diabeti, ekspertët thonë se nuk duhet të hiqni dorë nga kafeja.

Pirësit e rregullt të kafesë duhet të mbajnë nën kontroll edhe kolesterolin. Është e sigurt që nëse ju pëlqen kafeja, niveli i kolesterolit është i lartë. /Telegrafi/

Exit mobile version