Duke filluar nga java e ardhshme do të nis fushata për identifikimin e të gjithë punëdhënësve, të cilët shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve duke mos i deklaruar dhe duke mos ua paguar kontributet.
Kështu ka njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati, pas takimit që ka zhvilluar me drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe Kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi.
Me ligjin e ri të ATK-së, punëdhënësit janë të obliguar që të deklarojnë çdo punëtor të ri, një ditë para se punëtori të fillojë punën.
“Regjistrimi i punëtorëve bëhet lehtë e shpejtë në EDI: https://edeklarimi.atk-ks.org/Account/Login?ReturnUrl=%2F”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai tutje ka thënë se me ligjin e vjetër kishte vakuum ligjor, sepse punëdhënësit i mundësohej që të deklaronte të punësuarin deri në 45 ditë pas fillimit të punës.
Por sipas tij, kjo mundësi abuzohej nga shumë punëdhënës sepse përdorej si hapësirë për t’u ikur gjobave për punëtorë të padeklaruar.
“Secili i punësuar ka mundësi të kontrollojë nëse punëdhënësi e ka deklaruar: https://apps.atk-ks.org/regemployer”.
“Nëse e shihni se punëdhënësi nuk ju ka deklaruar, atëherë mund ta raportoni në mënyrë anonime dhe ATK bashkë me Inspektoratin e Punës do të sigurohen që punëdhënësi vizitohet dhe gjobitet për shkeljen”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/