Daniel Craig mbërriti në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia me rolin e një amerikani që është homoseksual dhe i varur nga droga në filmin “Queer” të regjisorit Luca Guadagnino.
U largua nga roli i agjentit të fshehtë britanik James Bond, dhe Craig tani interpreton një karakter të dehur dhe të paorganizuar që në Meksikë, në vitet 1950, bie në dashuri me një djalë më të ri. Skenat intime mes tyre pritet të jenë temë diskutimi në botën e kinematografisë.
Por, aktori 56-vjeçar nuk është i shqetësuar se sa shumë skenat eksplicite do të jenë tituj kryesorë në media. “Daniel është aq i hapur në këtë film sa i përket shpirtit”, tha Guadagnino.
Regjisori italian, i cili tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2017 me filmin “Call Me By Your Name”, tha se shpreson që publiku të shohë diçka më shumë sesa seksin në film.
“Mendoj se Daniel është aq bukur i hapur në këtë film sa i përket shpirtit dhe publiku do të lidhet pikërisht me këtë, pa marrë parasysh sa i zhveshur është në ekran”, shtoi ai.
Guadagnino tha gjithashtu se kishte dëshiruar prej kohësh të punonte me Craigin, të cilin e kishte takuar para 20 vitesh. “Gjithmonë kemi thënë se një ditë do të punojmë së bashku dhe e bëmë”, përfundoi regjisori.
Për çfarë bëhet fjalë në film?
Në dallim nga sukseset me buxhet të madh, “Queer” është xhiruar tërësisht në një studio në Romë. Personazhi i Craig, William Lee, jeton një jetë të vetmuar në Ciudad de Mexico, duke vizituar bare dhe duke konsumuar pije të forta, derisa bëhet i fiksuar pas një biseksuali të tërhequr, të interpretuar nga Drew Starkey. Ky i fundit shpejt bashkohet me një komunitet emigrantësh amerikanë me famë të keqe.
Craig dhe Starkey ndoqën së bashku kurse vallëzimi për të arritur një intimitet më të madh. “Kjo na ndihmoi të thyhej akulli”, tha Craig. Filmi bazohet në romanin e papërfunduar të shkrimtarit amerikan William S. Burroughs, dhe fundin e tij e shkroi skenaristi Justin Kuritzkes. “Queer” është një nga 21 filmat që konkurrojnë për çmimin ‘Luani i Artë’. /Telegrafi/