Zvicra shtrëngon masat për hyrjen e të huajve në vend. Kjo vlen të paktën për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ambasada e Zvicrës në Kosovë e ka bërë këtë njoftim në llogarinë e saj në Facebook.
Nga e hëna do të ketë rregullore të reja të hyrjes për qytetarët e të dy vendeve të përmendura.
Ndërkohë asgjë nuk ndryshon për ata që janë të vaksinuar.
Ata mund të hyjnë në vend normalisht nëse kanë vizë. Megjithatë duhet ditur se ata duhet të jenë vaksinuar me njërën nga vaksinat e miratuara në BE.
Lejohen përjashtimisht, vetëm rastet e rënda
Njerëzit e pavaksinuar, megjithatë, lejohen të hyjnë vetëm në situata “të një domosdoshmërie ekstreme”, përcjell albinfo.ch.
Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin, si “nevoja ekstreme” konsiderohen rastet e vdekjeve të të afërmve, thirrjet në gjykatë ose vizitat urgjente tek autoritetet .
Sigurisht, rregullorja nuk zbatohet për shtetasit kosovarë ose të Maqedonisë së Veriut që kanë leje qëndrimi në Zvicër.
Zvicra, me këtë veprim po reagon ndaj situatës më të tensionuar epidemiologjike në të dy vendet e Ballkanit dhe faktit se pas pushimeve verore shumë njerëz të kthyer nga atje kishin ardhur në Zvicër të infektuar me koronavirus.