Site icon Telegrafi

Nga e hëna fillon aplikimi për rritjen e pensioneve

Pranimi i dokumenteve për kategorizimin e pensioneve kontribut-pagues fillon të hënën. Pensionistët me fakultet, shkollë të lartë, e të mesme, duhet ti sjellin diplomat si dhe disa dokumente tjera.

Ministria për Punë e Mirëqenie Sociale ka shpërndarë me shkrim njoftimin ku informohen pensionistët për pranimin e dokumenteve për kategorizim. Aty thuhet se pranimi i dokumenteve fillon më 18 janar, kurse ata të cilët duan më shumë pensione, duhet t’i sjellin diplomat e kualifikimit shkollor. Veç kësaj, duhet të sjellin edhe fotokopjen e letërnjoftimit, si dhe ekstraktin e lindjes.

Nezir Musliu, kryetar i degës së sindikatës së pensionistëve të komunës së Prishtinës për radio Kosovën deklaroi se nuk janë të kënaqur me rritjen e pensioneve.

“Për ne nuk është e kënaqshme, me e thënë të drejtën, sepse është pritë qe gati dy vite se do të bëhet një ndryshim, një rritje, ka qenë 140.00 euro, ka shkua në 158.00, e pjesa dërmuese është aty. 18 euro ka rritje. Me fakultet sigurisht është një masë pak më e vogël, masa dërmuese është me shkollë të mesme e të lartë, ku ka diferencë shumë të vogël. Baza është 158.00 euro, kurse koeficienti është 1.1 me shkollë të mesme, 1.2 me shkollë të lartë, 1.5 me fakultet”, tregon Musliu për Radio Kosovën.

Pas dorëzimit të dokumenteve, pensionet me rritje do të merren në mënyrë retroaktive nga muaji janar. Përndryshe, në Kosovë llogariten të jenë 40 mijë pensionistë kontribut-dhënës. /Telegrafi/

Exit mobile version