Telegrafi

Nga dogana dhe TVSH-ja në kufi u mblodhën 262 milionë euro

Zëvendës ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza gjatë një konference të mbajtur për media tha se, të hyrat në kufi krahasuar me vitin e kaluar kanë qenë 11 për qind më të larta, të hyrat në ATK 12.2 për qind më të larta, të hyrat jotatimore qeveritare 4.7 për qind më të larta, të hyrat vetanake qeveritare 27 për qind më të larta dhe të hyra vetanake komunale janë më të larta për 26.6 për qind.

“Rritje janë shënuar te doganat, te të hyrat e brendshme që i administron dhe zbaton Administrata Tatimore e Kosovës, të hyrat vetanake të nivelit qendror dhe të komunave”, tha ai, duke shtuar se në periudha të caktuara në raport nuk janë përfshirë treguesit ekonomik për kufirin verior të Kosovës.

Sa i përket shpenzimeve buxhetore Hamza tha se sa i përket pagave, krahasuar me vitin e kaluar është shënuar një ngritje për shkak të krijimit të institucioneve të reja dhe për shkak të bartjes së përgjegjësive.

“Megjithatë si qeveri që kemi thënë se do të ketë shkurtime sa i përket darkave zyrtare, derivateve, udhëtimeve jashtë vendit, kemi një kursim më të madh”.

Sipas tij, vitin e kaluar janë shpenzuar për derivate mbi 8 milionë euro, ndërsa këtë vit mbi 10 milionë euro, mirëpo vitin e kaluar Hamza thotë se çmimi i derivateve ka qenë 70 centë për litër, ndërsa këtë vit çmimi është 1,4 euro.

Një pozicion tjetër që përmendi Hamza janë subvencionet ku kanë pasur një ngritje krahasuar e vitin e kaluar, për shkak të ngritjes së pensioneve të kontributdhënësve nga 40 në 75 euro, po ashtu ngritje të shpenzimeve ka pasur edhe për projekte kapitale.

Drejtori i Thesarit në MEF, Lulzim Ismajli, deklaroi se pranimet gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008 kanë qenë rreth 408 milionë euro, apo 47.4 për qind të të hyrave të planifikuara, ku krahasuar me vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë këto të hyra janë më të larta për 10 për qind.

Pagesat ndërkaq, sipas tij, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti kanë qenë 326 milionë euro ose 31.2 për qind të ndarjeve buxhetore për këtë vit, ku krahasuar me vitin 2007 pagesat janë më të larta për 18 për qind.

Ndërsa krahasimi i pagesave për vitin 2008 me atë të vitit të kaluar, ai tha se pagat dhe mëditjen janë 6.1 për qind më të larta, po ashtu edhe çështja e mallrave dhe shërbimeve është më e lartë 1.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar. /Telegrafi/