Jesse Lingard pesë vjet më parë kishte vlerën e 40 milionë eurove dhe luante për Manchester United si lojtar statues në formacion.
Lingard duhej të bëhej një nga lojtarët kryesorë për Man United dhe Angli, por tani ai ka gjashtë muaj pa klub.
Këtë verë, anglezit i skadoi kontrata me Nottingham Forrest dhe tani i është ofruar Barcelonës, shkruan ESPN Deportes.
Është e vështirë të besohet se Barcelona do të marrë një lojtar krejtësisht jashtë formës, por edhe një lojtar që nuk shquhet për zakonet e tij të punës.
Lingard luajti 232 ndeshje për Djajtë e Kuq dhe shënoi 35 gola, duke shtuar edhe 21 asistime.
Mesfushori sulmues ka luajtur 32 ndeshje për Anglinë dhe ka shënuar gjashtë herë, ndërsa aktualisht ka vlerën e 6 milionë eurove.
Vitin e kaluar ai tregoi për problemet që po kalonte, duke rrëfyer se si u ndikua nga kritikat e fansave dhe situata u përkeqësua nga depresioni i nënës së tij, e cila e detyroi të kujdesej për vëllezërit e motrat më të vegjël.
“Kam filluar të pi çdo natë para se të shkoj në shtrat. Kur e mendoj sot, mendoj se kisha nevojë për të gjitha këto. Por më duhej ta mpija dhimbjen disi. Doja të harroja atë që po ndodhte në jetën time, por alkooli në fakt bën gjërat dhjetë herë më keq”.
“U kritikova shumë dhe tashmë isha mjaftueshëm në depresion. Dhe atëherë më duhej të luaja ndeshje të tilla. Doja të isha vetvetja, të bëja shaka me shokët e mi të skuadrës dhe gjithçka… Por u preka nga e gjithë kjo”, ka treguar Lingard.
Nëna e Lingard u sëmur nga depresioni në vitin 2019, dhe ai gjithashtu ishte në gjendjen e tij më të keqe atëherë. Ai tha se arriti në pikën ku nuk donte të luante më futboll.
“Mendërisht nuk isha në lojë. Isha fizikisht në fushë, por nuk doja të isha aty. Nuk doja të luaja, doja të largohesha nga futbolli”.
“Më duhej pushim. Sigurisht që atëherë luajta keq. Tifozët më kritikuan dhe më ofenduan shumë. Unë u përpoqa t’i fsheh problemet e mia nga shokët e skuadrës në stërvitje, por në një moment trajneri Solskjaer e kuptoi që nuk isha mirë”, përfundoi Lingard. /Telegrafi/