Futbollistët shqiptarë kanë pasur një tjetër javë të mbarë në skuadrat evropiane ku paraqiten me klubet e tyre.
Shumë prej tyre ishin protagonistë kryesor duke luajtur rol vendimtar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Telegrafi në bashkëpunim me SofaScore sjell pesë futbollistët nga Kosova me notat më të larta që kanë marrë këtë xhiro.
Qendërmbrojtësi kosovar, Ismajl Beka, ka marrë notën më të lartë pas paraqitjes së jashtëzakonshme në fitoren e ekipit të tij Luzern me rezultat 2-0 ndaj Servettes. Ai pati pesë ndërhyrje në top, tri ndërprerje të aksioneve dhe tetë duele të fituara.
Fantastik këtë xhiro ishte edhe Florent Muslija i cili pati një paraqitje mjaft pozitive në barazimin 1-1 të ekipit të tij Paderborn, në udhëtim ndaj Magdeburgut. Muslija është vlerësuar me notën 8.3 dhe në këtë takim ka regjistruar gjashtë pasime kyçe, tri shanse të mëdha për gol të krijuara dhe pesë duele të fituara.
Me paraqitje pozitive këtë javë vazhdoi edhe Emir Sahiti i cili shënoi golin e fitores në ndeshjen që Hajduk Spliti e fitoi me rezultat 1-0 ndaj Lokomotivës së Zagrebit. Ai u vlerësua me notën 8.0, teksa përveç golit ai i ndihmoi shumë ekipit edhe në fazën defanzive.
Me notë të lartë 7.5, u vlerësua edhe Bernard Berisha i cili ishte lojtari më i mirë në fushë për Akhmat Groznyn ndonëse këta të fundit pësuan në udhëtim me rezultat 1-0 ndaj Baltikas. Berisha në këtë takim regjistroi pesë pasime kyçe, dy driblime të kompletuara dhe shtatë duele të fituara.
Performancë të mirë pati edhe Atdhe Nuhiu që mori notën 7.3 në fitoren e Altach me rezultat 2-1 ndaj Austria Wien. Sulmuesi kosovar goditi shtyllën një herë në këtë takim, fitoi 8 duele, dhe u faulua pesë herë. Për fat të keq, pak çaste pa përfunduar ndeshja, ai mori kartonin e dytë të verdhë, duke bërë që të largohet nga fusha para kohës./Telegrafi/