A e keni gjetur veten në një situatë ku vërtet ju është dashur të teshtini, por keni ndier se duhet ta mbani atë?
Ndoshta, keni qenë në një tren të mbushur plot gjatë orarit të pikut, ose keni hipur në një ashensor të mbushur plot me kolegë.
Ky është veçanërisht rasti që nga pandemia COVID, kur teshtitja në publik ose pranë njerëzve u bë një tabu serioze sociale.
Dhe derisa është e zakonshme dhe e sjellshme ta mbani një teshtitje ose ta bllokoni me dorë ose një faculetë, ekspertët thonë se nuk duhet të përpiqeni kurrë ta ndaloni veten nga teshtitja, pasi mund të shkaktojë dëme serioze në trupin tuaj.
Në fakt, në vitin 2018, një britanik shkaktoi rupturë në fyt duke ndalur një teshtitje. Kjo ndodh sepse mbyllja e gojës ose e hundës gjatë një teshtitje, rrit presionin në rrugët e frymëmarrjes pesë deri në 20 herë më shumë se një teshtitje normale – shkruan The Sun.
Dhe duke mos pasur ku të shkojë, presioni thjesht transmetohet në zona të tjera të trupit, sipas Dr Theresa Larkin, profesoreshë e asociuar e Shkencave Mjekësore në Universitetin e Wollongong të Australisë.
“Kjo mund t’i dëmtojë sytë, veshët ose enët e gjakut. Megjithëse rreziku është i ulët, janë raportuar aneurizma të trurit, ruptura të fytit dhe kolaps të mushkërive”, ka treguara ajo.
Dëmtimi i fytit
Rasti i lartpërmendur i burrit që rupturon fytin e tij, është një shembull i llojit të dëmtimit të fytit që mund të shkaktojë teshtitja.
Duke shtrënguar hundën dhe gojën para teshtitjes, presioni rrëmbeu indet e buta – kanë shpjeguar mjekët në revistën BMJ Case Reports.
34-vjeçari kishte mbetur me shumë dhimbje dhe mezi fliste apo gëlltiste. Ai pretendoi se kishte pasur një ndjesi kërcitjeje në qafë, e cila filloi të fryhej, pasi u përpoq ta mbante një teshtimë duke e mbyllur gojën dhe duke shtrënguar hundën në të njëjtën kohë.
Fytyrë me njolla të kuqe
Teshtimat ushtrojnë shumë presion dhe përpjekja për ta mbajtur njërën mund të shkaktojë plasjen e një kapilari në sy, hundë ose daulle veshi.
Kjo mund të shkaktojë dëmtim sipërfaqësor në fytyrë, duke e bërë atë më të kuqe dhe me njolla – ka thënë Dr Jason Abramowitz, një otolaringolog nga Allergy Associates të New Jersey në SHBA.
“Mund të shihni një njollë të kuqe në sy apo edhe të keni një gjakderdhje të vogël nga hundët”, ka shpjeguar ai duke shtuar se në raste më të rënda, gjithashtu mund ta shkaktojë pëlcitjen e daulles së veshit.
Çarja e daulles së veshit zakonisht shërohet brenda disa javësh pa trajtim, por ndonjëherë mund të rezultojë në humbje të dëgjimit.
Aneurizma
Në raste të rralla, rritja e presionit në fytyrë mund të shkaktojë gjithashtu një aneurizëm të trurit. Kjo ndodh kur ka një fryrje në një enë gjaku të dobësuar – sqarojnë nga NHS.
Shpërthimi i një ene gjaku në tru mund të çojë në gjakderdhje, e cila është kërcënuese për jetën.
Gjakderdhja mund të shkaktojë dëmtime të mëdha të trurit – me tre nga pesë njerëz që vdesin brenda dy javësh nëse pësojnë këtë dëmtim.
Infeksion i veshit të mesëm
Për ata që teshtijnë për shkak të ftohjes ose gripit, mbajtja e teshtitjes mund të shkaktojë një infeksion të veshit të mesëm.
Kjo ndodh sepse teshtitja ju ndihmon ta pastroni hundën nga çdo gjë që nuk duhet të jetë aty, përfshirë bakteret.
Pra, shtytja e ajrit që bart bakteret ose mukozën e infektuar përsëri në veshin e mesëm, mund të shkaktojë infeksion – sipas Klinikës Cleveland.
Mushkëri e kolapsuar
Kur mbani një teshtitje, mund të përjetoni një ndjenjë të ngopjes së pakëndshme në gjoks. Kjo ndodh për shkak se jeni duke ushtruar presion mbi diafragmën, muskulin që na ndihmon të marrim frymë – ka sqaruar Dr Jason.
Ndonëse rrallë, ka pasur raporte për ngecjen e tepërt të ajrit dhe presionit në diafragmë dhe kolapsin e mushkërive te njerëzit që përpiqen t’i mbajnë teshtimat e tyre.
Gjendja, e njohur mjekësisht si pneumotoraks, ndodh kur ajri bllokohet midis një mushkërie dhe murit të kraharorit. Në disa raste, kur bllokohet vetëm një sasi e vogël ajri, zakonisht zgjidhet vetë.
Sasitë më të mëdha të ajrit të bllokuar mund të jenë serioze dhe të çojnë në vdekje nëse nuk trajtohen urgjentisht. /Telegrafi/