Telegrafi

Nga aktrimi në televizion, Ermal Panduri: Në rolin më të mirë, një aktor merr 50 euro

Në emisionin “#Hashtag” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini është diskutuar për aktorët dhe ndryshimet e profesionit.

Drejtuesi i “Debat Plus” Ermal Panduri, është njëri nga aktorët që ka ndryshuar profesionin për të kaluar në media.

Panduri thotë se kalimin në media ia kishte propozuar edhe i madhi Faruk Begolli në shfaqjen e fundit që e kishin së bashku, para se ky i fundit të ndahej nga jeta.

“Provo drejtohu nga mediat pasi atje ka potencial. Kjo ishte këshilla e fundit që ma bëri profesori dhe unë e kam ndjekur komplet këshillën e tij”.

Drejtori i RTV Dukagjinit thotë se për shkak të profesionit si aktor në tregun medial shumë tema i ka trajtuar nga një këndvështrim më ndryshe.

Panduri tregon se sot në Kosovë profesioni i aktorit nuk vlerësohet e as paguhet.

“Në rolin më të mirë mund t’i marrësh 50 euro honorar”.

Aktori që tashmë punon drejton media, tregon një moment kur kishte filluar të rishqyrtojë të ardhmen e tij në këtë profesion.

“Shfaqja që për mua ishte më e mira e të gjitha kohërave në Kosovë, “Mbreti Lir”, interpretuar nga Faruk Begolli, kishte në sallë rreth 15 shikues. Në përfundim mbetëm vetëm 4-5 studentët e aktrimit. Të nesërmen mbahej shfaqja “Profesor jam talent se jo mahi”. Aty kishte 300 veta në sallë, dhe të gjithë pritën edhe përfundimin e saj… Nga këtu kam krijuar një distancë. Ai rast më ka bërë që të mendoj për të ardhmen”, tha ndër të tjera Ermal Panduri./Telegrafi/