“Biletat për me Turqinë do të dalin në shitje 2-3 ditë para ndeshjes, kurse çmimet pritet të jenë 20 euro, 15, 10 dhe për tribunat e Veriut dhe Jugut nga 5 e 7 euro”, deklaroi për Arenën, Agron Selimi, menaxher i Kompanisë ‘AS Art Events’, e cila do të bëjë organizimin e ndeshjes. Kosovë – Turqi, zhvillohet më 21 maj në stadiumin ‘Adem Jashari’ të Mitrovicës.
Katër ditë pas Turqisë, Kosovë sfidon Senegalin në Gjenevë të Zvicrës. Meqenëse, tifozët do të jenë më shumë nga diaspora, atëherë edhe çmimi i biletave do të jetë më i shtrenjtë. Kështu, një biletë do të shkojë deri në 75 frëng ose 61 euro.
“Me Senegalin biletat kanë dalë në shitje. Ato janë nga 15 frëng (12 euro) e deri në 75 frëng (61 euro)”, shtoi Selimi. Biletat ‘online’ kanë dalë në shitje edhe në uebfaqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (ffk-kosova.com), si dhe në uebfaqen http://www.ticketcorner.ch/. Dyert e stadiumit do të hapen në ora 15:30, kurse ndeshja nis në 17:00. /Arena/Telegrafi/