Site icon Telegrafi

Nga 46 projekte të planifikuara, asnjë i realizuar në tre muajt e parë të vitit

Për 46 projekte sa janë planifikuar të realizohen në periudhën janar – mars 2019 në komunën e Skenderajt, janë paraparë të investohen 3.555.833 euro të mjeteve nga kategoria e investimeve kapitale.

Asnjë projekt nga 46 sa janë planifikuar për tre muajt e parë të vitit 2019 nuk është realizuar në komunën e Skenderaj. Drejtori për Ekonomi e Financa në Komunën e Skenderajt, Mehmet Berisha, ka sqaruar se projektet nuk janë realizuar për shkak të vonesave me miratimin e buxhetit të vitit 2019 nga Qeveria e Kosovës, shkruan Zëri.

“Ju e dini se buxheti ka qenë dashur të miratohet në dhjetorin e vitit 2019 e ai është miratuar në shkurtin e vitit 2019. Për këtë arsye edhe buxheti për projektet kapitale të parapara të realizohen në tremujorin e parë të vitit nuk ka mundur të alokohet”, ka thënë Berisha në seancën e Kuvendit të Skenderajt, ku është diskutuar për harxhimin e buxhetit për tre muajt e parë të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version