Site icon Telegrafi

Nga 4 korriku në Shqipëri pa qese plastike

Vijon reduktimi i mëtejshëm i qeseve plastike dhe prodhimi i tyre sipas një standardi të ri, i cili do të synojë ripërdorimin për qytetarët.

Pas datës 4 korrik, qeset e rëndomta nuk do të hidhen më në treg, ndërsa vendimi për mbrojtjen e natyrës dhe shëndetit i propozuar nga Ministria e Mjedisit është mirëpritur edhe nga ricikluesit.

Qeset plastike që janë sot në përdorim nuk do të gjejnë më vend, pas datës 4 korrik. Një propozim i ministrisë së Mjedisit për të evituar përdorimin e gjerë të qeseve, për të mbrojtur natyrën, por edhe shëndetin e njerëzve, pritet të hyjë në fuqi nga data 4 korrik.

Zv.ministrja e Mjedisit dhe Turizimit, Ornela Çuçi, shpjegoi për TemA TV ndryshimet dhe efektet.

“Vendimi konsiston në 3 pika kryesore: rritja e trashësisë së qeses plastike.

Nuk po e bëjmë kot, por që ajo të jetë ë përdorueshme disa herë dhe nga ana tjetër të jetë e riciklueshme.

Qeset e holla kanë zero vlerë në riciklim.

Ajo që synojmë së dyti është fakti që të gjitha qeset në Shqipëri të kenë aditivë biodegradues, lëndë që nxisin vetëshkatërrimin e qeseve në një periudhë 36-mujore.

Dhe e treta ka të bëjë më gjurmueshmërinë.

Disa parametra të treguar në qesen plastike tregojnë nga vjen kjo qese, kohën e prodhimit dhe kush e ka prodhuar”, thotë Çuçi.

Por a preket biznesi i riciklimit dhe prodhimit të plastikës në vend nga ndryshimet?

“Qeset plastike që do të lejohen të përdoren duhet të kenë trashësinë për anë, minimum 35 mikron, që do të thotë që do të prodhohen qese të atilla që do të jenë disa herë të ripërdorueshme dhe pjesa tjetër e rëndësishme në këtë kriter teknik është se këto qese edhe pas ripërdorimit të tyre, edhe pasi të dëmtohen do të kenë një peshë specifike të rëndësishme për grumbulluesit që grumbullojnë materiale plastike për t’i çuar te ricikluesit.

Pra kemi një përfitim në të dyja anët”, thotë Vullnet Haka”, president i Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës.

Në fakt, për Ministrinë e Mjedisit, përdorimi i qeseve në vend deri para 3 vitesh ishte në nivele alarmante, dhe me gjithë masat e marra për kufizimin sërish cilësohet jashtë kritereve.

Masat për shkeljen e vendimit variojnë në gjoba nga 1.000.000 deri në 1.500.000 lekë, ndërsa objekt i këtyre sanksioneve do të jenë prodhuesit dhe importuesit që duhet të zbatojnë me përpikëri sistemin e shenjimit të ambalazheve. Në mbikëqyrje të zbatimit të vendimit do të jenë edhe marketet, që tregtojë mallra me këto ambalazhe.

Exit mobile version