Site icon Telegrafi

26 persona të prekur me COVID-19 në Pejë, shumica prej tyre u infektuan në një ceremoni varrimi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar për 39 raste të reja me COVID-19. Prej tyre 21 të shëruar.

Por çka bie në sy është numri i madh i rasteve në Komunën e Pejës.

15 raste sonte janë konfirmuar në Katundin e ri dhe 11 raste në qytet.

Kjo si pasojë e pjesëmarrjes në një ceremonial mortor më 6 prill 2020, përkundër masave të ndalimit të grumbullimit në masë të qytetarëve.

Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e gjashtë (26) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: pesëmbëdhjetë (15) raste Katund i ri dhe njëmbëdhjetë (11) raste Pejë), nëntë (9) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton coronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /Telegrafi/

Exit mobile version