Telegrafi

Nga 37 pacientë me COVID-19, gjashtë janë në gjendje të rëndë në Spitalin e Pejës

Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë duke u trajtuar 37 pacientë me COVID-19, prej të cilëve 6 janë në gjendje më të rëndë.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga spitali i Pejës.

Sipas njoftimit, 2 pacientë janë në Respirator, 26 pacientë janë në Oksigjeno terapi dhe nga këta 6 pacientë janë në gjendje më të rëndë.

Nga personeli i spitalit aktualisht janë të infektuar 1 mjek, 4 infermierë dhe 2 punëtor të shërbimeve teknike.

Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 214 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë, ndërsa 19 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm.

“5 lindje kanë qenë gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 4 normale dhe 1 me prerje cezariane. Kanë lindur 5 foshnje, 3 të gjinisë mashkullore dhe 2 të gjinisë femërore. 210 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 2,722 analiza, ndërsa janë kryer 6 operacione. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 104 shërbime Radiologjike, dhe prej tyre 70 Rëntgena, 25 EHO dhe 9 CT-ja”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/