Site icon Telegrafi

Nga 1 qershori 2019, Kosova e Shqipëria do të komunikojnë pa roaming

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me Ministrin Damian Gjiknuri, nënshkruan marrëveshjen për heqje të tarifave të roamingut në mes të dy vendeve tona.

Nga 1 Qershor 2019, qytetarët do të flasin dhe do të përdorin internetin sikurse brenda vendit!

Një ndër elementet kryesore të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të shërbimeve dhe mallrave janë edhe komunikimet elektronike e në veçanti shërbimet mobile në mes të vendeve kudo që ato ndodhen.

“Marrë parasysh interesin e përbashkët në promovimin e lidhjeve të ngushta në fushën e komunikimeve elektronike, veçanërisht potencialit për tregti intensive ndërmjet dy vendeve, si dhe duke synuar rritjen e nivelit të bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës si: ekonomike, kulturore, turizmit, etj, duke marrë për bazë para së gjithash interesat e shfrytëzuesve por edhe bizneseve – ne, dy Qeveritë tona kemi harmonizuar marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve mobile / të lëvizshme”, u shpreh ministri Lluka.

Në këtë rast janë marrë për bazë modeli RLAH (Roaming Like At Home) dhe modeli i draft Marrëveshjes së roamingut të Vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6), por duke synuar një dinamikë shumë më të shpejtë drejt RLAH-it të plotë.

Ministri Lluka, tha se të gjithë operatorët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje. “Bazuar në praktikat e mira të Bashkimit Evropian për Roamingun, pritet që të gjitha palët pjesëmarrëse në shërbimet mobile të përfitojnë nga kjo Marrëveshje. Operatorët nuk duhet të kenë frikë që do të ulen të hyrat e tyre, sepse me rritjen e trafikut këto të hyra përkundrazi do të rriten eksponencialisht. Në BE, vetëm pas një viti, kjo rritje ka qenë nga 600% – 800%.

Nga heqja e Roamingut përfitojnë të gjitha bizneset sepse zvogëlohen shpenzimet dhe rritet efikasiteti për shkak të komunikimit shumë më të lirë dhe shumë më fleksibil, duke rezultuar edhe në rritje të bashkëpunimit ekonomik përgjithësisht veçanërisht shkëmbimeve tregtare”, tha ndër të tjera ministri Lluka.

Gjithashtu, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët e të dy vendeve tona të cilët kanë pasur shqetësime të mëdha deri më tani.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është hap pozitiv edhe për bashkëpunimin rajonal por edhe për qëllimin final që edhe vendet tona dhe vendet tjera të rajonit të jenë pjesë e Bashkimit Evropian që nga viti 2021 duke u bërë pjesë e Rregullave të Roamingut RLAH (Roam Like at Home). /Telegrafi/

Exit mobile version