Site icon Telegrafi

Nga 1 korriku pritet që linjat ajrore me Turqinë të qarkullojnë me orar të rregullt

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka bërë të ditur se duke filluar nga 11 qershori Turqia ka hequr kufizimet për hyrje dalje në të gjitha pikat kufitare (ajrore, detare dhe tokësore përveç atyre me Iranin), me kusht që shtetasit e huaj t’u përmbahen rregullave të përcaktuara, ndërkohë pritet që nga 1 korriku 2020, linjat ajrore në mes Kosovës dhe Turqisë të fillojnë të qarkullojnë me orar të rregullt.

Sipas këtij njoftimi, çdo person, shtetas turk apo i huaj, në momentin e hyrjes në Turqi do t’i nënshtrohet kontrollit shëndetësor.

“Nëse me atë rast paraqiten simptome, atëherë do të kryhet testi PCR/COVID-19 pa pagesë”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë gjithashtu njofton se shtetasit e huaj që ndodhen në Turqi, dhe të cilët që për shkak të situatës së krijuar si pasojë e COVID-19, mbylljes së kufijve dhe anulimit të fluturimeve ndërkombëtare, nuk do të penalizohen apo gjobiten.

Pra, personat të cilëve nga data e mbylljes së kufijve deri në normalizimin e situatës mund t’u ketë skaduar viza apo leje-qëndrimi (tur. İkamet), nuk do të kenë pasoja për shkak të kalimit të afatit të qëndrimit.

Ministria e Jashtme turke bën të ditur gjithashtu se shtetasve të huaj të cilëve u ka përfunduar afati i përkohshëm i qëndrimit pa vizë apo afati i leje-qëndrimit, duhet të kthehen në vendet e tyre brenda një muaji që nga data e normalizimit të situatës gjegjësisht hapjes së fluturimeve.

Ndërkohë, pritet që nga 1 korriku 2020, linjat ajrore në mes Kosovës dhe Turqisë të fillojnë të qarkullojnë me orar të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version