Nga 1 korriku nis zbatimi i gjobave për shitësit që vijojnë përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshme në Shqipëri.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Kumbaro u bën thirrje qytetarëve të përdorin qese letre për pazaret e tyre.
“Kënaqësia e qeseve prej letre në pazaret e ditës! Dhe mos harro, nga 1 korriku fillon zbatimi i gjobave që ligji parashikon për shitësit që vijojnë përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe! Prandaj thuaj jo qeseve plastike. Pastrojmë Shqipërinë”, shkruan Kumbaro.
Nga 1 qershori qeset njëpërdorimshme u hoqën nga përdorimi, prodhimi dhe importimi, për t’u zëvendësuar me qese më të trasha, me kapacitet mbi 10 kg, të cilat janë të riciklueshme.
Këshilltari ligjor në Ministrinë e Mjedisit, Elvis Tosuni shpjegoi në emisionin “Mirëmëngjes” në Euronews Albania masat ndëshkimore për subjektet në të cilat do të konstatohen shkelje.
“Gjoba nuk do të jetë progresive por me shkallë, e cila është parashikuar në mënyrë të tillë për t’i dhënë seriozitet shkeljes dhe për ta parandaluar atë. Nëse do konstatohet që një subjekt pas datës 1 qershor përdor qese që nuk është shumë-përdorimëshe sipas parametrave të reja, do të ndëshkohet me 50,000 lekë [416 euro] gjobë dhe me sekuestrim të qeseve plastike të ndaluara. Në rast se konstatohet për herë të dytë e njëjta shkelje, do të gjobitet me 100,000 lekë [832 euro] gjobë dhe me sekuestrim të qeseve plastike. Nëse i njëjti subjekt rikontrollohet dhe gjendet po e njëjta shkelje, ndëshkohet me 150,000 lekë [1,250 euro] gjobë, sekuestrim të qeseve plastike dhe propozim për revokimin e lejes apo licencës me të cilin zhvillon aktivitetin ekonomik”, u shpreh Tosuni. /Euronews Albania/