Site icon Telegrafi

Nga 1 janari, kompanitë e veriut nuk importojnë pa licencë

Kompanitë e pjesës veriore e kanë datën 31 dhjetor, si afat të fundit që duhet të aplikojnëpër licencim, ngase në të kundërtën që nga 1 janari i vitit 2015, atyre u ndalohet importimi në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress-in, Edita Tahiri, ministre për dialog, e cila tha se marrëveshja përlicencimin e kompanive nga komunat veriore të cilat importojnë mallra që i shtrohen kontrollit është arritur në Bruksel që tetë muaj më parë, mirëpo siç ka treguar ajo, jo të gjitha kompanitë i kanë bërë aplikimet për licencim.

“Në takimin e fundit që patën në Bruksel, javën e kaluar edhe një herë rikonfirmuam vendimin që është në marrëveshje, që deri më 31 dhjetor kompanitë që aplikojnë për licencim mund të vazhdojnë të importojnë mallra dhe kjo vlen deri në momentin kur që e marrin po nuk e marrin licencimin nga autoriteti përkatës”, ka thënë Tahiri.

Megjithatë, ajo ka treguar se për ta përshpejtuar këtë proces në bashkëpunim me Bashkimin Evropian kanë organizuar një takim në Mitrovicë të hënën, ku janë ftuar të gjithë kompanitë që të marrin udhëzime për aplikim.

“Prej asaj dite ka pasur një zhvillim shumë pozitiv. Prej rreth 50 kompanive që kanë mbetur pa u licencuar – dhe dje kam marr një raport nga Doganat – 21 prej tyre kanë aplikuar. Tani të tjerat kompani kanë afat deri më 31 dhjetor me aplikuar për licencim”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërsa, Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, në lidhje me këtë çështje, i ka thënë KosovaPress-it, se dogana është institucion i cili i zbaton të gjitha marrëveshjet që dalin si rrjedhojë e dialogut në Bruksel.

“Çështja e licencave trajtohet me marrëveshje dhe roli i doganës është implementues”, ka bërë të ditur Stavileci. /kp/

Exit mobile version