Site icon Telegrafi

Nga 1 janari 2025 pensionistët në Tiranë udhëtojnë falas me transportin publik

Duke nisur nga 1 Janari 2025, të gjithë pensionistët në Tiranë do të mund të udhëtojnë falas me transportin publik. Bashkia e Tiranës ka vendosur që pensionistët të përfitojnë përdorim pa pagesë të të gjitha linjave urbane të kryeqytetit, ndërsa abonentët do të subvencionohen nga Bashkia.

Kjo nismë përfshin 177 mijë pensionistë dhe është propozuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke marrë miratimin nga Këshilli Bashkiak.

Për të përfituar abonim, pensionistët duhet të paraqiten pranë njësive administrative të zonës ku banojnë, duke filluar nga 16 dhjetor 2024.

Kush përfiton?

Femrat që kanë mbushur 60 vjeç.

Meshkujt që kanë mbushur 65 vjeç.

Dokumentet e nevojshme për regjistrim:

Karta e identitetit.

Regjistrimi bëhet në portalet përkatëse për të përfituar abonimin e Pensionistit.

Çdo fund muaji, pensionistët duhet të paraqiten në pikat përkatëse të shpërndarjes për të marrë abonenë e muajit pasardhës. Dokumentet e nevojshme:

Karta e identitetit.

Një foto personale.

Abonimi i pensionistit do të përmbajë emrin dhe mbiemrin e mbajtësit, ndërsa pajisja me abonimin  bëhet në pikat përkatëse të shpërndarjes.

Gjatë përdorimit të transportit publik, pensionistët duhet të mbajnë me vete abonimin e pensionistit dhe kartën e identitetit.

Exit mobile version