Projektvendimi i përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është bërë publike nga ministri Klosi gjatë një takimi me grupet e interesit pikërisht në “Ditën pa Makina”.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video duke informuar se duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do të ndalohet importi i veturave mbi 10 vjet vit prodhimi.
Në video paraqiten të faktuara pasojat që sjell ky problem në lidhje me mjedisin, shëndetin e qytetarëve, ekonominë, etj.
“Ka ardhur koha që të vihen disa rregulla të cilat sigurojnë 3 gjëra shumë të mëdha; e para shëndetin e qytetarëve, e dyta të sigurohen njerëzit që të mos manipulohen për të konsumuar të ardhurat e tyre të kufizuara për të shkuar drejt një sistemi i cili i gënjen dhe i manipulon dhe e treta për të krijuar në Shqipëri një ambient të pastër, një destinacion të vërtetë për njerëzit që duan ta vizitojnë nga pikëpamja turistike”, deklaroi dje ministri Klosi.
Më tej, Klosi tha se kjo është një politikë që do të krijojë standarde të vërteta në tregun e makinave duke e renditur Shqipërinë në krah të vendeve që prej vitesh kanë këtë kufizim dhe duke shmangur njëherë e mirë edhe futjen e makinave në Shqipëri për skrap. /Java/