Telegrafi

Nga 1 deri më 6 shtator organizohet “Java e filmit të Faruk Begollit”

Sipas organizatorëve, në kuadër të kësaj jave filmi, do të shfaqen pesë filma të gjatë artistik si dhe shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Mbrerti Lir”, me regji të Fadil Hysajt, ku protagonist kryesor është aktori, tashmë i ndjerë Begolli.

“Ne së bashku me RTV21 kemi vendosur që një javë t’ia kushtojmë aktorit Begolli në një vjetorin e vdekjes së tij. Për këtë javë filmi kemi përzgjedhur disa nga filmat më të suksesshëm të ‘Kosovafilmit’ ku rolet kryesore i luan Faruk Begolli”, ka bërë të ditur për “Telegrafi”, drejtori i “Kosovafilmit”, Gani Mehmetaj.

Sipas tij, për gjashtë net rresht në ekranin e RTV21, do të shfaqen katër filmat e “Kosovafilmit”, si “Proka” film i Isa Qosjes, “Si të vdiset”, i Miomir Stamenkoviqit, “Era dhe Lisi”, film i Besim Sahatçiut”, si dhe filmi “Kur pranvera vonohet”, i Ekrem Kryeziut.

Po ashtu në kuadër të “Javës së filmit të Faruk Begollit”, do të shfaqet edhe filmi “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”, i realizuar në vitin 1997, nga regjisori Ekrem Kryeziu, si dhe shfaqja “Mbreti Lir”, me regji të Fadil Hysajt.

Përveç shfaqjes së filmave, në kuadër të kësaj jave filmi, do të ketë edhe debate në studio të RTV21, ku do të diskutohet për filmat në fjalë, si dhe për aktorin, tashmë të ndjerë Faruk Begolli.

“Java e filmit të Faruk Begollit” fillon me 1 dhe zgjat deri më 6 shtator. /Telegrafi/