Ish-anëtari i komisionit rajonal në fondin e tre përqindëshit, Nezir Fejza ka thënë se posedon fakte që ky fond ka pasur të hyra në vlerë prej 300 milion eurove.
Fejza, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në vitin 2013 ai ka paraqitur kërkesën te autoritet gjermane për të hetuar fondin e tre përqindëshit.
“Nga Gjermania lënda është depërtuar në prokurorinë e EULEX-it, ku prezentë ka qenë edhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Faik Halili. Më pas na janë dërguar informatat se lënda ka kaluar në prokurorinë e Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Nezir Fejza ka thënë se ai ka dëshmuar në EULEX me dokumente për qarkullimin e mbi 300 milion markave.
“Kur jam pyetur nga prokurori i EULEX-it se sa para përafërsisht ka pasur ky fond me dokumente, unë i kam thënë se kam arritur deri në një miliard marka të grumbullohen në gjithë botën”.
Ish-anëtari i komisionit rajonal në fondin e tre përqindëshit, ka thënë se pas shitjes së Dardani Bank që ka menaxhuar paratë e fondit të tre përqindëshit janë ndarë nga shtatë apo tetë persona.
Ai ka shtuar më tej se Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa janë personat që i dinë detajet se ku kanë shkuar paratë e fondit të tre përqindëshit./Telegrafi/