Telegrafi

Neymari nuk e respekton as PSG-në e as tifozët, Petit me kritika për brazilianin

Neymar (Foto: Angel Martinez/Getty Images/Guliver)

Ish-mesfushori i Barcelonës, Emmanuel Petit, e ka akuzuar Neymarin për mosrespektimin e Paris Saint-Germainit dhe tifozëve të klubit ku luan.

Legjenda franceze që ka luajtur edhe për Arsenalin e Chelsean, beson se braziliani është treguar egoist gjatë gjithë kohës sa po luan te kampioni i Ligue 1.

Sulmuesi i PSG-së gjatë verës kërkoi të largohej nga klubi, ndërsa vazhdon të ketë mosmarrëveshje me drejtuesit e skuadrës.

Neymar (Foto: David Ramos/Getty Images/Guliver)

“Kur luaja me (Zinedine) Zidane ose (Youri) Djorkaeff, e dija se ata mund ta vendosin vet një ndeshje, prandaj e pranonim neglizhencën që e bënin në mbrojtje. E pranonim dhe e kryenim punën tonë, sepse e dinim se ata mund të fitonin me një lëvizje prej gjeniu”.

“I tillë nuk është rasti aspak me Neymarin. Ky njeri luan për veten dhe vetëm për veten e tij. Vendoseni veten në vendin e lojtarëve të PSG-së, të cilët i durojnë me muaj teket e këtij personi që shkel mbi klubin dhe tifozët e tyre; ai nuk ka aspak respekt”, ka deklaruar ish-mesfushori për RMC Sport.

Ndryshe, Neymar lidhet me një kthim në La Liga, ku ish-klubi i tij, Barcelona dhe Real Madridit kanë shprehur interesim për ta pasur në skuadër. /Telegrafi/