Brazili pritet ta ketë në dispozicion yllin kryesor, Neymar, për ndeshjet e Kampionatit të sivjetmë Botëror, pasi sulmuesi ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm për lojë pas një muaji.
Futbollisti i Paris Saint-Germainit nuk është duke luajtur që nga muaji shkurt kur pësoi një frakturë në ashtin metatarsal të këmbës së djathtë gjatë ndeshjes ndaj Marseille.
Më pas, ai u detyrua t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjike, e cila kërkonte një periudhë të gjatë kohore për rikuperim.
PSG ka bërë të ditur se riaftësimi i lojtarit po shkon mirë, derisa trajneri Unai Emery shpreson që ai të kthehet para se të përfundojë sezoni.
“Ka mbetur edhe një muaj”, ka thënë Neymar për TV Globo, kur është pyetur për kohën e rikthimit të tij.
“Po përparoj mirë. Gjithçka është sa më mirë që është e mundur”, ka shtuar sulmuesi brazilian.
26-vjeçari ka shkëlqyer në sezonin e tij të parë te PSG, mirëpo është spekuluar se planifikon të kthehet në La Liga, pasi Real Madridi kërkon me ngulm shërbimet e tij.
Brazili do ta zhvillojë ndeshjen e parë të Kampionatit Botëror në Rusi më 17 qershor kundër Zvicrës. /Telegrafi/