Neymar i ka përgënjeshtruar njoftimet për një përplasje me Gianluigi Donnarumman pas eliminimit të Paris Saint-Germainit nga Real Madridi në Ligën e Kampionëve.
Marca dhe ESPN kanë raportuar se sulmuesi dhe portieri ishin pranë përplasjes fizike duke e akuzuar njëri-tjetrin për eliminimin.
Përfaqësuesit e italianit i kanë mohuar këto pretendime, ndërsa tash edhe braziliani ka sqaruar përmes faqes së tij të Instagramit.
Ai madje e ka publikuar bisedën që e ka zhvilluar me Donnarumman në Whatsapp duke i akuzuar gazetarët si të paaftë.
Siç mësohet nga biseda, portieri ia ka dërguar sulmuesit lajmin e Marca duke i thënë: ‘Hej, Ney, më vjen keq për dje, kjo është e papranueshme”.
“Miku im! Kjo mund të ndodhë në futboll”, i është përgjigjur Neymar.
“Ne jemi një skuadër dhe të gjithë jemi me ty. Ti je shumë i ri dhe do të fitosh shumë. Reago dhe ec përpara. Përqafime”, shkruan tutje braziliani.
30-vjeçari e ka publikuar edhe një tjetër postim në InstaStory duke i akuzuar gazetarët që e kanë bërë lajmin si jo profesionistë.
“Urrej kur duhet të flas për lajme… Por, publikimi i mëparshëm është një gënjeshtër. Nuk ka pasur zënkë në zhveshtore! Gazetarët e paaftë po përpiqen ta promovojnë veten. Ndoshta herën tjetër, në rregull?”, ka shkruar Neymar. /Telegrafi/