Telegrafi

Neymar përballë vendimit jetësor: Kalimi te Barcelona do të thotë miliona euro më pak për brazilianin

Neymar do të pranonte një ulje drastike të pagës vetëm për t’u kthyer te Barcelona.

Sipas  El Mundo Deportivos është një zgjedhje shumë e ndërlikuar për brazilianin, por ai do të pranojë kthimin te Barcelona duke humbur edhe miliona euro.

PSG i garanton mbi 50 milionë euro në sezon, ku përfshihet paga dhe bonuset, nga ana tjetër Barcelona nuk mund t’i ofrojë më shumë sesa përfitonte para largimit, ​afërsisht pak më shumë se 20 milionë euro.

Siç thekson gazeta katalane, Neymar do të përfundojë vitin e tij të tretë të kontratës (nga pesë sa ka) me klubin parisien dhe do të kërkojë largimin.

PSG-ja është e gatshme t’i ofrojë rinovimin me pagë 38 milionë euro në vit, plus bonuset (si imazhi i Bankës Kombëtare të Katarit), me të ardhurat vjetorë të projektuara mbi 50 milionë euro.

Barcelona në anën tjetër, do t’i garantonte atij një projekt teknik, sipas dëshirës së tij ku do të gjente miq si Lionel Messi e Gerard Pique, të cilët po bëjnë presion shumë për kthimin e tij.

Nëse Neymar do të kthehet, do të duhet të ndodhë këtë verë.

Në fakt, në vitin 2021 do të ketë zgjedhje presidenciale dhe Jose Maria Bartomeu do të donte që blerjen e lojtarit brazilian ta shfrytëzonte për të fituar. /Telegrafi/