Neymar i është kundërpërgjigjur ish-bashkëlojtarit te Paris Saint-Germain, Thomas Meunier, pasi ai pretendoi se braziliani “e ka humbur magjinë e tij”.
Mbrojtësi i djathtë belg, i cili tani është në Borussia Dortmund, ka acaruar qartë sulmuesin me komentet e tij.
Meunier deklaroi për Kicker: “Më duhet të pranoj se kam qenë një tifoz i madh i Neymar kur ai ishte në Barcelonë”.
“’Remontada’ në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve (Barcelona 6-1 PSG) ishte plotësisht ai. Nëse do të isha dhjetë vjeç, do të kisha një poster të tij në dhomën time të gjumit”.
“Nga këndvështrimi im, në Paris, ai humbi magjinë e tij”, ka shtuar më tej ai.
Neymar u përgjigj në Instagram duke thënë: “Ky djalë flet shumë”.
Dyshja ishin bashkëlojtarë në PSG për katër vjet duke fituar së bashku tre tituj të Ligue 1, por ata kurrë nuk e fituan Ligën e Kampionëve.
Neymar mund të ketë rënë në formë sipas Meunier, por sezonin e kaluar ai ende shënoi 13 gola dhe dhuroi tetë asistime në 28 ndeshje.
Edhe pse kjo është më pak se sa ka arritur më parë në sezonin e mëparshëm, kur shënoi 17 dhe regjistroi 11 asistime në 31 ndeshje.
Meunier bëri 128 paraqitje për PSG, derisa shtoi se ishte shumë i vështirë largimi nga klubi parisien. /Telegrafi/