Telegrafi

Neymar: Ky është vetëm fillimi me PSG-në

Me 26 gola në 25 ndeshje është pa dyshim starti më i mirë në karrierën e Neymar Jr, që u transferua në verë nga Barcelona te PSG për shumën rekord 222 milionë euro.

Deri në fund të sezonit me të gjitha gjasat do të thyejë rekordin e sezonit 2014-2015, kur shënoi në total 39 gola me “blaugranat”.

Në një intervistë për PSG Channel, Neymar premtoi se do të qëndrojë gjatë në kryeqytetin francez.

“Ky është vetëm fillimi. Nuk e prisja një start me statistika të tilla te PSG. Jam këtu për të ndihmuar skuadrën dhe shokët e mi, duke u përpjekur dita-ditës që të përmirësohemi në çdo ndeshje, kjo është gjëja më e rëndësishme”, përcjell SS.

Cavani – Mbappe – Neymar, treshja vdekjeprurëse e PSG-së (Getty Images)

Neymar është akuzuar se është një lojtar egoist, duke iu referuar kryesisht përplasjes së tij me Cavanin për goditjet e 11-metërshave. Sulmuesi brazilian thekson se nuk ekzistojnë probleme të tilla në skuadër.

“Objektivi im nuk është të jem lojtari kryesor i skuadrës, thjesht dua të luaj futbollin tim, të tregoj sesi di të luaj, të shënoj gola dhe të jap asistime. Aq më mirë që kemi në organikë lojtarë të tillë si Cavani, Kylian Mbappe apo Angel Di Maria”.

Po a kanë marrëdhënie të mira të dy lojtarët brenda dhe jashtë fushës së lojës?

“Ne komunikojmë me gjuhën e futbollit. Me këtë gjuhë dinë të merren vesh në fushën e blertë të gjithë lojtarët inteligjentë”, përfundoi Neymar.