Neymar është më afër se kurrë që të rinovojë kontratën e tij me Paris Saint-Germainin.
Ylli brazilian ka kohë që lidhet me një largim nga klubi francez, mirëpo një gjë e tillë duket se nuk ka të ngjarë.
Ai tashmë ka vendosur që të qëndrojë në Parkun e Princave dhe kanë mbetur vetëm edhe disa detaje për të finalizuar nënshkrimin e marrëveshjes së re.
Sipas asaj që raporton Le10Sport, braziliani do të nënshkruajë kontratën e re me kampionin nga Ligue 1 deri në qershor të vitit 2026.
Gjiganti nga liga franceze po ashtu është duke biseduar edhe me Kylian Mbappen që të rinovojë kontratën, e që do t’i mbante dy lojtarët më të mirë në skuadër.
Në anën tjetër, Neymar vazhdon të jetë lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit, që nga kalimi i tij te PSG-ja nga Barcelona në verën e vitit 2017 për 222 milionë euro. /Telegrafi/