Skuadra e FC Shkupit ka zyrtarizuar Nderim Nexhipin në postin e drejtorit sportiv duke shkruar. Ky lajm është mirëpritur nga shumë tifoz të skuadrës bardhekaltër nga Shkupi, njofton Telegrafi.
Nexhipi vjen te Shkupi në një kohë jo edhe shumë të mirë, pasi ekipi në kampionat në 13-t javë të zhvilluara ka grumbulluar vetëm 16 pikë dhe mban pozitën e gjashtë, duke mbetur larg nga pesëshja e ekipeve që janë shkëputur në garën për titull. Kujtojmë se Shkupi është eliminuar edhe nga gara e Kupës së Maqedonisë së Veriut.
Nexhipi është prononcuar për faqen zyrtare të klubit, ku mes tjerash ka thënë se me kënaqësi dhe pa hamendje ka pranuar ftesën nga presidenti i klubit dhe Emir Shabani.
“Për mua rikthimi te FC Shkupi pas shumë viteve është kënaqësi e jashtëzakonshme, pasi që jam kthyer në vendin ku për mua filloi çdo gjë. Dy javët e fundit kam marrë shumë mesazhe nga ‘Shvercerat’ dhe gjithë futbolldashësit e Shkupit dhe ftesa nga presidenti i klubit dhe Emir Shabani, të cilët i falënderoj për besimin, më kanë bërë që shumë shpejtë të vendosi të kthehem dhe të fillojmë një udhëtim së bashku”, ka thënë drejtori i ri sportiv i FC Shkupi, Nexhipi.
Nderim Nexhipi tani do të ketë mjaft punë për të stabilizuar skuadrën në garën në kampionat, duke marrë parasysh se sezni nuk po shkon ashtu sikurse e kishin planifikuar te Shkupi.
“Ekipi nuk e ka filluar mirë këtë sezon dhe rezultatet janë evidente, por për mendimin tim, ky ekip ka potencial për vendet e para në tabelën e klasifikimit. Personalisht ju premtoj ‘Shvercerave’ dhe gjithë tifozëve të klubit që do ta rikthejmë Shkupin, aty ku e ka vendin dhe në këtë projekt që kemi filluar, në dy vitet e ardhshme do shpallemi kampion dhe do të tentojmë t’i kapim grupet në garat evropiane”.
Nexhipi në këtë post te FC Shkupi vjen pas një përvojë që së fundmi e kishte te skuadra turke Manisa, ndërsa më parë punoi edhe te skuadra e Kukësit dhe në Kosovë me Ballkanin. /Telegrafi/