Site icon Telegrafi

Newsweek: Protestat në Maqedoni mund të kërcënojnë rajonin e paqëndrueshëm

Gazeta javore amerikane ”Newsweek” i ka kushtuar një analizë protestave në Maqedoni, duke konsideruar se ato mund të kërcënojnë një rajon të paqëndrueshëm, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Gazetarja Valerie Hopkins e fillon analizën e saj me përshkrimin e një skene nga protestat, ku aktivisti Zamir Mehmeti, i maskuar dhe me pistoletë uji, ”njollos” me ngjyrë ”Harkun triumfal”, dhe deklaron se kjo është një shprehje e zemërimit ndaj pushtetit dhe projektit skandaloz ”Shkupi 2014”.

Analiza vazhdon me aspektet e krizës politike në Maqedoni, duke cituar një hetim të Komisionit Evropian, që thotë se përgjimet – që u publikuan nga lideri i opozitës, Zoran Zaev – janë urdhëruar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja Gordana Jankuloska dhe shefi i shërbimit të inteligjencës, Sasho Mijallkov.

Gazetarja Hopkins thellohet në krizën politike, ku përmend dorëheqjen e Gruevskit dhe vendimin e Ivanovit për faljen e politikanve të cilët janë nën hetime. Në analizë, gazetarja ka përfshirë edhe angzhimin ndërkombëtarë dhe trysninë ndaj kryetarit Gjorge Ivanov, për tërheqjen e vendimit për falje.

Vendosja e statujave të hernjve sllav, trajtohet nga gazetarja si një ofendim ndaj shqiptarëve të cilët përbëjnë çerekun e popullatës së vendit, ndërkaq rastin e Kumanovës e trajton si një ngjarje që ka tensionuar marrëdhëniet ndërmjet dy etnive. Megjithate, protestat e përbashkëta, gazetarja i konsideron si rastin e parë të një bashkimi të shqiptarëve dhe maqedonasve, nën një qëllim të përbashkët./Telegrafi/

Exit mobile version