Site icon Telegrafi

Nevojitet një treg i përbashkët Kosovë-Shqipëri

Pas bashkimit fizik të shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos pas ndërtimit të rrugës së kombit, tani nevojitet edhe bashkimi ekonomik i të dyja vendeve.

Udhëheqësi i Konfindustrisë së Shqipërisë, Gjergj Buxhuku, thotë se pas ndërtimit të infrastrukturës fizike, tani nevojitet të krijohet një treg i përbashkët kombëtar shqiptar. Buxhuku thekson se duhet të bëhet ç’është e mundur që të dy vendet të shfrytëzojnë potencialet e tyre plotësuese të njëra tjetrës në fushën energjetike.

“Pra të bëhet e mundur ngritja e një infrastrukture energjetike që duhet të shkojë drejt investimeve në prodhimin e energjisë elektrike nga thëngjilli në Kosovë dhe nga uji në Shqipëri, i cili është një rast i rrallë botëror për plotësimin e njëri-tjetrit të bashkuar edhe me linjën e interkoneksionit”, tha ai për Radio Kosovën.

Buxhuku thotë se qeveritë e të dy vendeve duhet të angazhohen edhe për njësimin e legjislacionit fiskal.

“Duhet krijuar një hapësirë e tillë ekonomike që një investitor i vendit apo i huaj ta shohë si treg të përbashkët me të gjitha pjesët e tij përbërëse dhe pastaj është shumë e rëndësishme të ecim përpara drejt krijimit të një tregu unik të punës, një tregu arsimor të tillë që qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës të mund të punojnë në institucionet shtetërore të dy vendeve përkatëse”, theksoi Buxhuku.

Buxhuku thekson se për të krijuar një treg të përbashkët kërkohet edhe kohë, kërkohen edhe investime të përbashkëta në sektorët e ekonomisë. Në radhë të parë, duhet hequr pengesat të cilat ekzistojnë, pasi sipas tij, ka edhe interesa grupesh të cilët për interesa vetjake dalin në kundërshtim me idenë e tregut të përbashkët. /Telegrafi/
 

Exit mobile version