Site icon Telegrafi

Nevoja për një Richelieu të kohës sonë

Kombi shqiptar gjatë historisë së tij ka pasur Richelieu të tij të cilët me mendimin e tyre dhe filozofin politike kanë vendosur themelet e shtetit dhe institucioneve në përgjithësi. Rëndësia e këtyre përpjekjeve të Richelieu-ve shqiptarë ishte e dukshme mbikohore dhe që la gjurmë në të gjitha drejtimet dhe kanalet e politikës dhe diplomacisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Duke u nisur që nga strategu dhe diplomati shqiptar Gjergj Kastrioti, Gjergj Fishta, Theofan Stilian Noli, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Anton Harapi, Pjetër Bogdani, pastaj politologu i njohur Ukshin Hoti, sociologu dhe politikani i njohur Fehmi Agani, e deri te lideri historik dhe arkitekti i shtetit modern të Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë qenë një hallkë e lidhur ngushtë si në mendime, filozofi, por edhe vizion se Shqiptarët e kanë të vërtetën e tyre historike dhe se e drejta e tyre është e natyrshme për të qenë një komb unik dhe i bashkuar në familjen e lashtë të civilizimit evropian.

Këto hallka mendimtarësh harmonik dhe kjo filozofi e përbashkët për të shpie kombin drejt fatit të tij historik dhe evropian tregon në mënyrë të plotë bazën apo fundamentin mbi të cilën është ndërtuar dhe legjitimuar në mënyrë historike ashtu edhe politike e diplomatike procesi i ngritjes së çështjes shqiptare dhe rrugës së institucioneve moderne, demokratike e shtetërore.

Sidoqoftë shekulli XXI dhe proceset e reja të krijuara pas gjithë atyre valëve të ngritjes dhe rënies së popujve, por edhe të kombeve na e sjellin në kujtesë veprimet e mençura të politikanit, kardinalit e diplomatit francez Armand-Jean du Plessis, duc de Richelieu, veprime këto që kanë lënë gjurmë të thella si në diplomacinë franceze ashtu edhe atë ndërkombëtare, e posaçërisht evropiane. Veprimet e tij janë të njohur dhe pa mendimet e tij dhe filozofinë e tij politike nuk do të mund të mendohej sot politika e jashtme dhe ndërtimi i shtetit modern demokratik e evropian.

Roli i tij ishte i jashtëzakonshëm sidomos në hedhjen e themeleve të shtetit modern, pastaj politikës dhe diplomacisë e cila më vonë edhe u bë një nga principet apo kornizat bazë të drejtimit të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare e veçanërisht evropiane. Jo rastësisht e mora si figurë model kardinalin dhe politikanin e njohur francez Richelieu dhe e ndërlidha me një hallk të madhe dhe të gjerë të figurave të kombit shqiptar në përgjithësi, sepse këto figurë model dhe këta personalitet të kombit tonë kanë lënë gjurmë të thella si në diplomaci, politikë ashtu edhe në aspektin historik dhe janë filiz i dal pikërisht nga trungu i gjallë i kombit shqiptar evropian. Po ashtu këto figura tona të rëndësishme kombëtare e historike kanë krijuar kulturën dhe djepin e politikës dhe diplomacisë shqiptare, por edhe kanë zhvilluar dhe forcuar anët e rëndësishme të shtëpisë së demokracisë dhe institucioneve kombëtare e shtetërore.

Duhet nënvizuar se ashtu siç diplomati, politikani dhe kardinali francez Richelieu e shihte diplomacinë si një nga proceset të rëndësishme e të vazhdueshme të politikës shtetërore e kombëtare, po ashtu edhe Richelieu-t tanë e shihni diplomacinë si vegël të rëndësishme dhe vitale të jetës dhe prezantimit të identitetit politik, kombëtar e kulturor të kombit shqiptar në botën demokratike dhe të civilizuar. Ishte pikërisht Richelieu ai që themeloi në vitin 1626 Ministrinë e parë për punë të jashtme të Francës, me anë të kësaj ai e vuri në jetën diplomacinë dhe idenë e interesit në mes kombeve dhe shteteve moderne, po ashtu me anë të kësaj ai e lidhi fuqishëm në dy anë interesin shtetëror e kombëtar në njërën anë atë të përqendrimit të veçantë të politikës në zhvillimin e kombit në të gjitha drejtimet nëpërmjet aleancave dhe interesave reciproke, dhe në anën tjetër të konsolidimit të shtetit në përgjithësi duk krijuar stabilitet të qëndrueshëm.

Kështu edhe Richelieu-t tanë arritën që të ndërtojnë shtyllat bazë të politikës dhe diplomacisë kombëtare e shtetërore të mbështetura mbi themelet e historisë dhe aleancave historike të popullit shqiptar gjatë tërë historisë së saj, ashtu siç u ndërtuan më herët aleancat besnike në mes kombit shqiptar dhe botës demokratike, apo Evropës si familje dhe mbrojtjes së vlerave të përbashkëta të civilizimit evropian në përgjithësi.
Ata me anë të kësaj ndërtuan themelet e qëndrueshme të politikës dhe diplomacisë dhe krijuan traditën për pasardhësit besnik dhe me vizion që ta udhëheqin kombin shqiptar drejt përmbushjes qëllimit të tij të sigurt drejt së ardhmes evropiane. Richelieu-t tanë krijuan një traditë dhe kultivuan një miqësi të besueshme me aleatë (SHBA dhe EU), me anë të këtyre aleancave besnike ata ndërtuan një rrjet të madhe dhe një zinxhir aleatësh të cilët do të mbështesnin proceset dhe ecjen e kombit shqiptar në rrugën e tij drejt ardhmërisë së sigurt.

Epoka e Richelieu-ve të kombit shqiptar ishte një ndër epokat që i dha vulë proceseve të shumta politikë dhe diplomatike të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe problemeve që kombi shqiptar pas gjithë atyre sakrificave në mbrojtje të vlerave, trojeve dhe identitetit të tij kombëtar e kulturor evropiane arritën ta vënë në lëvizje dhe t’i legjitimojnë më pastaj ato, por edhe ta ofrojnë udhën e bashkimit të kombit shqiptar në familjen e lashtë evropiane. Gjithashtu ata me anë të politikës dhe diplomacisë e vizionit të tyre evropian arritën të vënë në jetë rolin serioz të kombit shqiptar, si një faktor i rëndësishëm në mjedisin e përbashkët të gadishullit ilirik, por edhe të bërthamës së përbashkët të vlerave dhe civilizimit të unionit evropian.

Puna e Richelieu-ve të kombit shqiptar dhe ndikimi i tyre, si në aspektin e drejtimit kombëtar si tërësi ashtu edhe ndërtimit të idesë së shtetit modern shqiptar i cili më pastaj do të bëhej ngadalë një realitet i cili ka nevojë akoma dhe do të vazhdoj të plotësoj nga testamenti i tyre politik e diplomatik, por edhe historik rreth proceseve të sigurta të zhvillimit të gjithëmbarshëm të kombit shqiptar si tërësi.

Me një fjalë edhe pse jemi në shekullin XXI shikuar në përgjithësi vendi ynë si duket ka harruar të mbështetet në parimet dhe themelet e politikës dhe diplomacisë së Richelieu-ve të kombit shqiptar. Duke parë defektet dhe mungesën e vizionit, por edhe fytyrën komplekse të proceseve që po kalon herë pas herë vendi ynë, pastaj duke parë paqëndrueshmërinë politike dhe institucionale të vendit do të ishte tepër e nevojshme dhe imediate për proceset politike që kombi shqiptar në përgjithësi, e veçanërisht shteti i Kosovës të vij një Richelieu i kohës sonë për të drejtuar vendin dhe për të realizuar në tërësi testamenti politik, diplomatik e historik të Richelieu-ve të kombit shqiptar të cekur më lart.

Ky Richelieu i kohës sonë duke u mbështetur në traditën dhe trashëgiminë e Richelieu-ve të kombit shqiptar nuk do të gabonte, por edhe nuk do të bënte politikë dyfytyrëshe duke ngrënë me dy lugë, por do të bënte një politikë bazike me vizion të qartë evropian, pastaj duke punuar në ringjalljen e vlerave të vërteta evropiane të kombit shqiptarë si dhe do të dinte të kultivonte dhe të kishte aleanca besnike vetëm në këtë mënyrë ata do të jetësonin idetë dhe do të kryenin në mënyrë të vyer punën e mbetur të Richelieu-ve të kombit shqiptar.

Në këtë mënyrë gjithashtu do të mund të shihnim se vendi është duke ecur sigurt në drejtim të përgjithshëm si dhe do të shinim se si është vërtetë duke u legjitimuar dhe praktikuar edhe më tutje në vazhdimësi të proceseve të historisë së vendit politika me vizion dhe interes kombëtar e evropian pastaj edhe diplomacia agresive e Richelieu-ve tanë të vjetër të kombit të cilët nëpër kohëra të ndryshme dhe të vështira drejtuan fatet e proceseve historike të kombit si dhe për të pasur më vonë një ndikim të përhershëm duke i lënë pasardhësve mëpastaj që të vënë në jetë vulën veprimeve gjatë historisë dhe t’i jetësojnë ato në mënyrë permanente dhe besnike duke e udhëhequr vendin në rrugën e sigurt të integrimit në familjen e përbashkët evropiane.

Tani duhet kuptuar se është koha për të bërë një ndryshim rrënjësore, gjithashtu tani është koha që të përqafohen normat e politikës dhe diplomacisë moderne duke filluar së praktikuari dhe duke vënë në jetë në detaje trashëgiminë e Richelieu-ve të kombit shqiptar duke i bëra parimet dhe filozofinë e tyre qendër apo zemër të politikës dhe diplomacisë ashtu që këto të bëhen parime udhëheqëse të politikës dhe diplomacisë së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në rrugën e forcimit të institucioneve dhe proceseve të integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë ne do të kuptonim thelbin e parimeve dhe të vërtetës sonë se paraardhësit tanë duhet të jenë model dhe korniza e përvojave të kombit për të ndërtuar të ardhmen e sigurt.

Exit mobile version